Sot u përcoll për në banesën e fundit, efektivi i “Shqiponjave” Novruz Cenalia, i cili u vra me armë zjarri rreth tre ditë më parë nga Azgan alias Asllam Mernica, i cili u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e kësaj të mërkure.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook thotë se pret që drejtësia të bëjë detyrën e vetë pas arrestimit të autorit.
Balla nënvizon se kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit dhe nuk mund t’i shmanget dot kurrë ndëshkimit.
“U prehsh në paqe Novruz i dashur! Bashkë me familjen tënde, kolegët e tu të Policisë së Shtetit dhe mbarë shoqërinë tani presim nga drejtësia të bëjë detyrën. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit dhe nuk mund t’i shmanget dot kurrë ndëshkimit”, shkruan ministri Balla në postimin në profilin e tij në Facebook.
28-vjeçari Cenalia mbeti i vrarë 3 ditë më parë pas një konflikti me Azgan Mernicën. Ky i fundit qëlloi me armë efektivin pas sherrit për kalimin e rrugës./vizionplus.tv/