Në 15 janar rinis punimet parlamenti, por edhe viti 2024 pritet të sjellë të njëjtat pamje në seancat plenare, me opozitën që ngre barrikada me karrige dhe ndez flakadanë në sallën e kuvendit.
Deputetët e opozitës kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të bllokojnë mbledhjet e parlamentit derisa mazhoranca të plotësojë kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore, për vendosjen e një bashkëkryetari të ri në komisionin e Reformës Zgjedhore dhe miratimin e Gazment Bardhit si kryetar të grupit parlamentar të PD.
Por protesta e opozitës nuk pritet të sjellë probleme për mazhorancën, e cila për 3 muaj ia ka dalë të miratojë ligjet e parashikuara. Dhe deri tani nuk ka asnjë shenjë se Partia Socialiste do të tërhiqet nga pozicioni i saj në raport me kërkesat e deputetëve demokratë.
Socialistë duket se janë në një pozicion të favorshëm politik, me një mazhorancë të konsoliduar prej 78 deputetësh dhe pa probleme për të çuar para reformat e nisura nga qeveria.
Mbetet për tu parë se çfarë do të ndryshojë kryeministri Edi Rama në raport me qeverisjen tashmë që nga zgjedhjet na ndajnë rreth 15 muaj e çfarë do tu ofrojë shqiptarëve lideri i mazhorancës Rama që ata t’i besojnë një mandat të 4.
Por nëse socialistët sot kanë të gjitha mundësitë të fitojnë mandat të 4, opozita duket në një situatë të vështirë si asnjëherë më parë.
Përçarja e PD që nisi në vitin 2021 vetëm sa është thelluar dhe grupimi i demokratëve të drejtuar nga Sali Berisha e grupimi i drejtuar nga Lulzim Basha vazhdojnë të përballen në gjykatat shqiptare se cili ka të drejtën të mbaje logon e Partisë Demokratike.
Pas 2 vitesh beteje brenda PD, ka vetëm një bashkëpunim të pjesshëm mes Sali Berishës dhe një grupi demokratësh të drejtuar nga Gazment Bardhi dhe mbetet për tu parë nëse ky bashkim do të jetë i plotë dhe Bardhi do të njohë Sali Berishën si kryetar të PD. Për më tepër demokratët viti 2024 i gjen me liderin e tyre historik, Sali Berishën të izoluar në shtëpi.
Pas shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara e Britania e Madhe, Sali Berisha po hetohet nga SPAK-u për akuzën e korrupsionit dhe gjykata ka vendosur si masë sigurie për të arrest në shtëpi, duke i ndaluar edhe komunikimin me bashkëpunëtorët e tij politikë.
Mbetet për tu parë si do të jetë aksioni politik i demokratëve përballë qeverisë, tashmë që Sali Berisha është i izoluar në shtëpi dhe si do të riorganizohet opozita për betejën e zgjedhjeve parlamentare, në një situatë kur në dyert e SPAK-ut ka shkuar edhe kreu i Partisë së lirisë, Ilir Meta, e kur kryerepublikani Mediu po gjykohet për tragjedinë e gërdecit.
Në raport me procesin e integrimit, Shqipëria ka edhe një mundësi në pranverë për të hapur negociatat për kapitujt themelorë e për të zhvilluar konferencën e dytë ndërqeveritare. Por kjo do të varet nga bisedimet me Greqinë, e cila ka vendosur si kusht betimin e Fredit Belerit, mbi të cilin rëndon akuza për blerje votash si kryetar i bashkisë së Himarës./Vizionplus.tv/