Ky është momenti kur biznesmeni i ndërtimit Eduard Reçi, qëllohet me një plumb të vetëm në kokë që i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.
Vizion Plus siguroi videon që tregon atentatin ndaj tij, mbrëmjen e 13 nëntorit, në sheshin para pallatit ku banonte.
Por dy të arrestuarit për këtë krim mohuan përfshirjen në ngjarje.
“Nuk jemi ne vrasësit”, u thanë gjyqtarëve vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka.
Megjithë pretendimet e tyre, Gjykata vendosi t’i lërë ata në burg pa afat, për akuzën e “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”.
Ekzekutimi i ndërtuesit Eduart Reçi u zbardh 11 ditë pas krimit tronditës.
Oficeri i policisë gjyqësore Shkëlqim Duka rezulton i fiksuar në pamjet e kamerave të sigurisë teksa qëndronte për ditë me radhë në shkallët e emergjencës së një hoteli, në pritje të momentit më të mirë për të goditur.
Ai tentoi ta bënte vrasjen edhe në 8 nëntor, por dështoi.
Sipas policisë atentati ndodhi pas një përplasje për një truall ku do të ndërtohej një pallat, por që kërkonte bashkëpunim dhe dakordësim edhe me pronarët kufitarë, vëllezërit Shkëlqim dhe Florian Duka./vizionplus.tv