Të paktën 60-të forca policie mësynë në banesën e vëllait të një ndër emrave më të lakuar në vend, Eljo Hato.

Në kontrollin e beftë, Forcat Speciale u gjendën përballë një ‘fortese’.  Mur rrethues rreth dy metër i lartë e me gjemba, kamera në çdo cep dhe dy qen, janë vetëm disa nga elementët që mund të shquhen edhe në pamjet e siguruara nga Vizion Plus.

Banese private e vëllait të Eljo Hatos monitorohet nga kamera të vendosura në çdo kënd, teksa muri rrethues shërben si ‘blind’ i vilës.

Forcat Speciale vranë njërin nga qentë e plagosën tjetrin gjatë kontrollit në banesë, por nuk mundën të realizonin objektivin e tyre, kapjen e të shumëkërkuarit Eljo Hato.

Nga ana tjetër, i kthyer me kurriz nga kamera që drejtohet në ambientet e gjakosura të banesës, vëllai i Eljo Hatos hodhi akuza në drejtim të uniformave blu dhe drejtuesve të tyre. Ai tha se vrasja e qenve ndodhi në oborr, teksa aty nuk ndodhej askush. Në të njëjtën kohë, kontrollet e vazhdueshme në banesën e tij i konsideroi si të qëllimta nga drejtues të policisë, për të cilën theksoi se mund të jenë paguar nga anëtarë të bandave kriminale.

Eljo Hato rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK, teksa konsiderohet si “ushtar” i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj, fati i të cilit mbetet një ndër çështjet më të ‘nxehta’ në duart e drejtësisë./vizionplus.tv/

Share.
Exit mobile version