Ngjarja rëndë e ndodhur ditën e djeshme në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikes , ku 34- vjeçari Renato Muhaj, ka vrarë ish- bashkëshorten e tij Suela Saliaj, ka shokuar banorët e fshatit Ngraçan në Mallakastër , ku e ndjera ka kaluar fëmijërinë e saj. Me lot në sy banorët tregojnë se vajza dhe familja e saj ishin njerëz tepër të nderuar në zonë dhe nuk mendonin kurrë se martesa e saj do të kishte një fund të tillë tragjik.

Banorët e fshatit Ngraçan në Mallakastër janë tronditur nga ngjarja e rëndë që u shënua ditën e djeshme në Florida, SHBA. 34- vjeçari Renato Muhaj vrau bashkëshorten e tij Suela Saliaj dhe rrëmbeu më pas vajzën e tyre 8-vjeçe.

Pas ngjarjes, policia e arrestoi autorin dhe brenda pak minutash gjeti edhe vajzën e mitur.

Një banor i fshatit Ngraçan u shpreh se me babain e viktimës kanë qenë fqinj, teksa e vlerëson atë si njeri dhe si infermier.

“E kemi patur komshie. Tani me çfarë më thanë mua, është vrarë në Amerikë çupa e Mukës. Muka ka qenë njeri i mirë. Ka punuar infermier në Greçan, pastaj iku në Fier. Pastaj i doli llotaria për në Amerikë. Keq na vjen”, tha një banor.

Vlerësim ka shprehur edhe një banor tjetër, teksa thekson se kanë mbetur pa fjalë nga ngjarja e rëndë.

Ishin familje shumë e mirë dhe kur i dëgjuam nuk i besuam. Vajza ishte shumë e mirë. Me babain e vajzaës jam rritur. Çiftin nuk e njihja se ata ishin në Amerikë. Ishin të ndarë ata. Vajza ishte shumë e mirë luante me fëmijët tanë. Vajza vinte në Fier. Kanë mbi 15 vjet që kanë ikur. Nuk kemi fjalë”, u shpreh banori tjetër.

Në Ngraçan banesa e familjes Saliaj është e mbyllur pasi prej vitesh aty nuk banon askush teksa tek të gjithë banorët kanë mbetur tashmë vetëm kujtimet e mira dhe dhimbja për vajzën e vrarë në SHBA nga bashkëshorti./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version