Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë” arrest në burg” për shtetasit Rudi Pashaj dhe Klaudio Pashaj (vëllezër).

Të dy shtetasit u konfliktuan me punonjësit e policisë në zonën e Lungomares, më 13 korrik.

Seanca është  drejtuar nga gjyqtar Artan Ciraga. Prokuroria ka kërkuar arrest në burg , kërkesë e cila është  pranuar nga Gjykata e Vlorës.

Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Vlorës në mesin e sezonit turistik dhe në zonën më të frekuentuar, atë të Lungomares.

Sipas policisë, efektivët kanë ndaluar një qytetar me monopatinë pasi nuk kishte vendosur skafandër. Ky i fundit sapo e kishte marrë me qira mjetin elektrik tek dy vëllezërit Rudi dhe Klaudio Pashaj.

Pasi kanë parë që klienti i tyre është ndaluar nga policia, dy vëllezërit janë afruar dhe kanë nisur fillimisht debatin me uniformat blu. Më pak sherri ka agravuar dhe dy efektivët Renold Mataj dhe Kristi Hoxha janë goditur dhe kanë pësuar fraktura të rënda, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Pak më vonë blutë kanë arrestuar 2 vëllezërit të cilët ushtronin aktivitetin e tyre pa licencë e madje duke zaptuar hapësirën publike.

Ndërkohë po punohet për kapjen edhe të personave të tjerë të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version