Avokatët e Sali Berishës bënë lëvizjen e radhës për të mbrojtur ish- kryeministrin nga izolimi në shtëpi. Brenda orës katër, që është edhe orari zyrtar I mbylljes se gjykatës, ata pritet të depozitojnë kërkesën e radhës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Lajmi është konfirmuar për Vizion Plus nga mbrojtësi Berishës, Sokol Mëngjesi.
Po aq, paraditen e kësaj të premteje ai pranoi se u paraqit në Gjykatën e Posaçme për të tërhequr vendimin e arsyetuar të gjyqtares Rudina Palloj, e cila rrëzoi kërkesën e tyre të mëparshme për përjashtimin e Irena Gjokës, pasi e gjeti të pabazuar atë.
Sipas avokatit Sokol Mëngjesi, ky vendim do t’i bashkëngjitet edhe materialeve audio dhe vendimeve të mëparshme të vetë gjyqtares Gjoka, që ata kërkojnë të përjashtojnë, duke dashur të provojnë pikërisht se ajo është e njëanshme dhe se ka konflikt interesi në vendimmarrjen ndaj Berishës.
Pas 2 muajsh e 8 ditë nga momenti që SPAK ka kërkuar masën e parë, atë të Detyrimit të Paraqitjes për Sali Berishën, numri i kërkesave për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka ka shkuar në katër.
Sali Berisha është shprehur më herët se në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e ka shkarkuar gjyqtaren në shkurt të 1996 për paaftësi profesionale.
Mirëpo, Irena Gjoka është riemëruar vetëm 6 muaj më vonë, diçka që për Prokurorinë e Posaçme është provuar edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Ndërkohë, vendimi për masën e sigurisë ndaj berishës pritët të shpallet të shtunën në mesditë./vizionplus.tv/