Të martën Gazment Bardhi e Agron Gjekmarkaj do të bëhen dy nënkryetarët e rinj të Partisë Demokratike duke i dhënë fund procesit të bashkimit.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar që do të zhvillohet pasditen e së martës do të miratohen disa ndryshime në statut për ti krijuar hapësirë grupit të Gazment Bardhit të hyjë në strukturat drejtuese të PD.
Mësohet se në statut do të vendoset një nen sipas të cilit kryetari i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Kuvendit janë automatikisht nënkryetarë të PD pa qenë nevoja t’i nënshtrohen votimit. Ndërkohë që kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare janë automatikisht anëtarë të Kryesisë, sërish pa u votuar. Për shkak të këtyre ndryshimeve në kryesi do të hyjë edhe Jorida Tabaku, megjithatë ajo vetë nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.
Si pasojë e këtyre ndryshimeve, 15 anëtarë të rinj hyjnë në Kryesinë e PD.
Por nëse i sheh me kujdes ndryshimet ato ngjajnë më shumë me zgjedhjet politike që Lulzim Basha bëri brenda Partisë Demokratike e janë shume larg premtimeve të liderit të opozitës Sali Berisha në Kuvendin e 11 dhjetorit. Së pari, nga ana formale PD po bëhet me 4 nënkryetarë dhe Kryesia me 52 anëtarë, po aq sa ishin në kohën kur drejtonte Basha PD. Por ka disa ndryshime që janë edhe më thelbësore.
Sali Berisha pranoi ta katapultojë grupin e Gazment Bardhit në Kryesi pa u votuar. As Bardhi, as Gjekmarkaj dhe askush tjetër nuk do të votohen të martën, edhe për shkak të pasigurisë se këtij grupimi nuk do të marrin miratimin e Këshillit Kombëtar. Por në vjeshtën e vitit 2021 Sali Berisha akuzoi shpesh Lulzim Bashën për shkelje të statutit e për zhdukjen e procesit të votimit.
Për më tepër në Kuvendin e 11 dhjetorit të vitit 2021, Bardhi, Tabaku, Rushaj e Alibeaj u shkarkuan nga posti i nënkryetarit të PD pasi nuk ishin votuar në Këshillin Kombëtar. Të martën Sali Berisha do të bëjë të njëjtin proces, do të shtojë 2 nënkryetarë dhe 15 anëtarë në kryesi pa i hedhur në votë .
Në këtë këndvështrim bashkimi i Partisë Demokratike tregon se pak gjëra kanë mbetur ende nga kuvendi i 11 dhjetorit në PD e drejtuar nga Sali Berisha./vizionplus.tv