Kryetari i partisë së majtë greke “Syriza”, Stafanos Kasselakis ka nisur sot një tur vizitash në fshatrat minoritarë në Shqipëri, në kuadër të fushatës së tij elektorale për kandidatët e propozuar për eurodeputetë në Parlamentin Europian.

Ndalesën e parë ai e pati në shkollën e Bularatit në Gjirokastër, me drejtues të Zyrës Arsimore për të vijuar me disa zona të tjera të Dropullit.

Kreu i Syrizas tha se duke qenë se vjen vetë nga një grup minoritar, e di nevojën që këto bashkësi kanë për mbështetje nga politika.

“Jemi këtu pranë minoritetit etnik grek për të shprehur mbështetjen tonë pa kushte. Të mbështesin gjithashtu arsimin në gjuhën greke edhe teknikisht nëse mundemi. Çështjet janë të shumta por në asnjë rrethanë nuk duhet të politizohen apo të përvetësohen nga parti të caktuara. Këto janë çështje me karakter kombëtar dhe ne si përfaqësues të politikës së Greqisë do të qëndrojmë të vendosur në mbështetjen e helenizmit kudo ku gjendet e sidomos kur gjendet në kufijtë e vendit tonë atje ku kanë luftuar e kanë derdhur gjak grekët”, tha Kasselakis.

Fushata e Kaselaqis, vjen në një kohë kur partia kundërshtare në pushtet “Demokracia e Re”, që drejtohet nga Kyriakos Mitsotakis, ka vendosur si një nga kandidatët për deputet në Parlamentin Europian, Fredi Belerin.

Arrestimi dhe dënimi për blerje votash i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, ka sjellë reagime të ashpra nga pala greke, e cila e quan të paligjshëm procesin ndaj tij./vizionplus.tv/

Share.
Exit mobile version