Është zhvilluar këtë të enjte, konferenca për shtyp e prezantimit të programit të Javës së Evropës 2024.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, bëri thirrje që SPAK të lihet të bëjë punën e vet. I pyetur pse BE ka dënuar sulmet e Ilir Metës ndaj SPAK dhe jo deklaratat e kreut të qeverisë Edi Rama, Gonzato tha se nuk ka standarde të dyfishta dhe mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur.
-BE ka dënuar sulmet ndaj drejtësisë ndaj kreut të SPAK. Ndërkohë edhe Rama e ka sulmuar. Pse reagoni për sulmet nga Meta dhe jo nga Rama?
Gonzato: Nuk ka standard të dyfishta. Mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur, por mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Ne i japim përparësi të madhe reformës në drejtësi dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet.
Gonzato nuk komentoi paraqitjen në SPAK të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj por nënvizoi edhe një herë mbështetjen ndaj SPAK
Gonzato: Ne nuk komentojnë për hetime por ju e dini mbështetjen tonë për SPAK. Mbështes punën e këtij instituticioni. Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, janë pjesë e kapitujve themelorë të BE që do të hapen të parët dhe do të mbyllen të fundit. Kam besim të plotë te SPAK, vijojmë punën me Bashkinë, për transportin e gjelbër, shkollat etj. Objektivi im është të bashëpunojmë.
Sa i përket anëtarësimit të vendit në BE, Gonzato tha se nga Brukseli vijnë sinjale pozitive.
Gonzato: Jemi në një moment shumë pozitiv nga sinjalet që me vijnë nga Brukseli. Ne jemi seriozë për plotësimin e procesit të zgjerimit, sepse vendet e Ballkani Perëndimor janë të rrethuar nga vendet e BE. Shtetet anëtare e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje për begatinë e të ardhmen e vet BE. Nuk e shohim si favor ndaj jush, por si diçka që përfitojnë të gjithë. Pranimi bazohet te merita./vizionplus.tv