Institucionet qeveritare në Shqipëri si dhe disa sisteme policore kanë qenë sërish pre e sulmeve të hakerave iranianë, duke sjellë kështu bllokimin e faqeve zyrtare.
Probleme ka patur faqja e parlamentit, disa sisteme të forcave të rendit, e madje edhe kompani private, duke bërë që për disa orë shërbimi në faqet online të jetë i bllokuar.
Sulmi është marrë përsipër nga grupi i hakerave iranianë te cilët në faqen e tyre në rrjetet sociale kanë pranuar agresionin kibernetik. Janë të njëjtët autorë që tashmë prej më shumë se një viti sollën kaos në disa sisteme publike të vendit, sidomos ato të policisë duke ndërhyrë në TIMS, Memex si dhe rrjete të tjera të rëndësishme të sigurisë.
Ndërkohë pas këtyre sulmeve ka reaguar zyrtarisht edhe AKSHI, që pranon se aktualisht jemi në një gjendje sulmesh masive të formatit për të bllokuar rrjetet.
Sipas AKSHI-t, situata është rikthyer në normalitet dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë.
Në reagim nënvizohet gjithashtu se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike./vizionplus.tv