Subjektet që ndotin ujërat larës kanë detyrimin që të investojnë impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, me qëllim që të marrë fund shkarkimi i tyre në dete, liqene dhe lumenj.

Bizneset do të kenë 90 ditë kohë për të instaluar impiantet ose në rast të kundërt task forca e ngritur për kontrollin e tyre do të marrë masa administrative.

“Pas 90 ditësh, Task Forcës e  cila do të drejtohet nga AKUK, i lind e drejta për të lënë edhe 60 ditë kohë para se të vendosë masën e parë administrative. Është një aksion me zero tolerancë, ku kërkojmë bashkëpunimin e kryetarëve të bashkisë, por para së gjithash u intereson bizneseve. Synojmë të arrijmë 95% të ujërave larës me cilësi të shkëlqyer.”

Masa të tilla, sipas ministres Mirela Kumbaro, duhen marrë për t’iu përgjigjur fluksit turistik me një shërbim më cilësor.

“Sfida jonë nuk është nëse do të ketë më shumë turistë, sfida është si do t’i përgjigjemi këtij fluksi. Na duhet t’i përgjigjemi me masa të posaçme siç është akti normativ që kemi miratuar dhe zbatimin e të cilit po e nisim. Nuk mund t’i përgjigjemi më kësaj vëmendje kaq të madhe të tregut turistik ndërkombëtar me të njëjtën cilësi investimesh apo masa të marra para pesë viteve. Sfida jonë është jo vetëm t’i mirëpresim në hotele të mira, në restorante të mira e aktivitete, por me cilësinë e pastërtisë. Çdo njësi biznesi turistik duhet të ketë impiantin e vet dhe të marrë përgjegjësinë e trajtimit të ujërave të ndotura.”

Mostrajtimi i ujërave të ndotura përmes impianteve parashikon gjoba që nisin nga 1.500.000 lekë deri në 2.650.000 lekë ose bizneset rrezikojnë edhe mbyllje të aktivitetit./vizionplus.tv/

Share.
Exit mobile version