SPAK ka kaluar në sekuestro preventive disa llogari bankare të Ilir Beqajt dhe disa personave të tjerë.
Prokuroria ka sekuestruar 14 323 125 Lekë, 15 542 Euro, 42 318 Dollarë, që ju përkasin personave nën hetim Gazmend Haxhia, Elton Marini, Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj, Bjona Zijaj, Bledar Leka dhe shoqërive tregëtare të personave nën hetim.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.430, datë 15.07.2024, i ndryshuar me vendimin nr. 34, datë 09.08.2024, të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur sekuestro preventive mbi disa llogari bankare, shuma të parave, e të tjera, si më poshtë vijon:
14 323 125 (katërmbëdhjetë milon e treqind e njëzetë e tre mijë e njëqind e njëzetë e pesë) Lekë;
15 542 (pesëmbëdhjetë mijë e pesëqind e dyzetë e dy) Euro;
42 318 (dyzetë e dy mijë e treqind e tetëmbëdhjetë) USD;
Këto shuma parash janë sekuestruar në llogari rrjedhëse, depozitë me afat, cash dhe ju përkasin personave nën hetim G.H., E.M; I.B., E.K., B.Z., B.L; dhe shoqërive tregëtare të personave nën hetim”, njofton SPAK.
Po ashtu, në sekuestro preventive kanë kaluar edhe mbi 19.4% të kuotave të shoqërisë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k., tre automjete të regjistruar në pronësi të personave nën hetim Elton Marini dhe Ermal Kurtulaj.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, së bashku me oficerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara po kryejnë veprimet e nevojshme për ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë apo për fakte të tjera penale./vizionplus.tv