Pasi u vu nën akuzë nga prokuroria antikorrupsion, ish- kryeministri, Sali Berisha e cilësoi SPAK-un si organizatëne monstruoze. Duke iu referuar dosjes voluminoze lideri i opozitës tha se hetuesit shkelën hapur ligjin duke nxjerrë edhe emrat e fëmijëve autikë.

“Kanë vendosur në dosjen e tyre publike të aktakuzës ndaj meje duke shkelur çdo kod njerëzor dhe ligjor që mbron privatësinë e fëmijës, emrat e fëmijëve autikë, përfitues të bamirësisë. Cilido që bën një gjë të tillë, dëshmon se ai ose ajo, edhe në rast se kanë fëmijë, nuk meritojnë dhe mund të quhen prindër, nënë ose baba, sepse nuk mund të quhen as njerëz, sepse ata nuk ngurrojnë të përdorin pushtetin që ua ka ngarkuar shoqëria dhe ligji, për të dhunuar si hiena privatësinë e qenieve më të pafajshme të kësaj toke, fëmijëve autikë”tha Berisha.

Ish kryeministri akuzoi Edi Ramën dhe Taulant Ballën se organizuan atentat ndaj tij.

“Rreth dy vite më parë, Edi Rama dhe Taulant Balla organizuan atentat ndaj meje në mes të ditës. Dhe të garantoj tani që para tij, në korridoret e këtyre kriminelëve, flitej se janë orët e fundit të Sali Berishës. Unë vazhdova mitingun, pa asnjë plan B. Harrojeni, përpjekja për t’i uzurpuar PD-së udhëheqjen, u përpoqën ç’është e vërteta, kjo nuk është sekret. Por dështuan dhe do dështojnë”, shtoi kreu i PD

Berisha drejtoi gishtin e akuzes edhe nga nderkombetaret per te cilet tha se kerkuan arrestimin e liderit te opozites.

“Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin e Sali Berishës. Publikisht e kanë bërë. I korruptuar është McGonigali që punoi për manipulimin e dosjes. Unë nuk mund t’i injoroj këto. Ja ku janë ‘heronjtë e fëmijëve tanë’. Por, unë besoj fort te vlerat. Unë nuk pajtohem kurrë me ata që përdorin Amerikën për të mbuluar krimet e tyre, për të mbuluar trafiqet e tyre. Në botëkuptimin tim, Amerika nuk është e madhe për asnjë shkak tjetër, por për hapësirën e lirisë, për shtetin ligjor, për Kushtetutën e saj”, tha Berisha.

I pyetur nga gazetaret  nëse e bija do të kandidojë për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se ky vendim i takon vetem Argita Berishës./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version