Krijuan skema mashtruese lidhur me TVSH-në duke i shkaktuar shtetit 60 mln lekë dëm, Prokuroria e Tiranës masa arresti me detyrim paraqitje për 7 persona
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, referuar nga Drejtoria Hetimit Tatimor në kuadër të procedimit penal nr.6684, viti 2023 i bashkuar, kërkoi masa sigurie shtrënguese për shtatë persona, përfshirë dhe një ish-punonjës së Qendrës Kombëtare të Biznesit, për Veprën Penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, parashikuar nga neni 144/a i Kodit Penal.
Nga analizimi i fakteve, u provua se janë krijuar dhe regjistruar në mënyrë fiktive me anë të falsifikimeve, 17 subjekte tregtare, të gjitha me aksioner administrator dhe pjestar bordi drejtues, shtetas të huaj, përkatësisht 15 shtetas nga vende si Kuba, Spanja, Germania, Kroacia, Malta, Belgjika, Italia, India, Bangladeshi.
Të 17 subjektet tregtare kanë kryer shitje në mënyrë fiktive në vlerën 200,000,000 lekë, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 60,000,000 lekë. Nga verifikimi i kryer, këto subjekte nuk kanë pasur asnjëherë punonjës, mjete ose adresa sekondare për të kryer punimet të cilat kanë faturuar. Nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se të 15 shtetasit e huaj të cilët kanë firmosur regjistrimet e subjekteve pranë QKB-së, nuk kanë hyrë në asnjë moment në Territorin e Shqipërisë. Dokumentet e dorëzuara nga këta subjekte në QKB, Banka të nivelit të dytë (mandat magesa kapitali), caktimi ekspertëve kontabël në statutet e tyre, u provua se janë të falsifikuara.
Në total, subjektet fiktive kanë kryer shitje në vlerë 192,622,898 lekë (të dhëna nga vetëdeklarimi). Këto vlera të cilat dyshohet të jenë fiktive, janë faturuar vetëm te subjekti që operon në fushën e kromit.
Personi nën hetimi shtetasi A. D., (ish specialist pranë QKB-së Vlorë), ka mundur të kryej regjistrimin e katër subjekteve tregtatre, me status Sh.A (shoqëri aksionere). Ndërsa personi tjetër nën hetim, shtetasi A. Ç. (ekonomist), ka krijuar kushtet për të furnizuar subjekte të treta nëpëmjet subjekteve fiktive për të cilat ka pasur akses në sistemet e tyre si dhe dokumentacionin tatimor (blloqe TVSH).
Sa më sipër, prokuroria dyshon se shtetasi A.Ç., A.D., M.L., A.A., R.R., A.A., F.D., duhet të hetohen për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, parashikuar nga neni 144/a, 180, 300 dhe 190 i Kodit Penal dhe kërkon:
1-Caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg” për personin nën hetim A.Ç. Për veprën penale të parashikuar nga neni 144/a i Kodit Penal;
2-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nen hetim A.A. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
3-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të për personit nën hetim M.L. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
4-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nën hetim R.R., për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
5-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim F.D. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
6-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim A.A. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal; dhe
7-Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” për personin nën hetim A. D. për veprën penale të parashikuar nga neni 190 dhe 300 i Kodit Penal.
lajm ne perditesim