Arben Lamçja, i cili akuzohet se ka krijuar kushtet për ekzekutimin e Nuredin Dumanit është ekstraduar nga Kosova.

“Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit të kërkuar ndërkombëtarisht, Arben Lamçja, 50 vjeç”, njofton policia.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2024, i ka caktuar 50-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi Arben Lamçja ka siguruar kushte/mjete, me qëllim vrasjen e shtetasit Nuredin Dumani, për llogari të shtetasit F. G. alias Franc Çopja. Gjithashtu, dyshohet se për llogari të të njëjtit shtetas, 50-vjeçari ka pastruar para që kanë patur burim veprimtari kriminale.

Kush është Arben Lamçja 

Arben Lamçja alias Dobrova nga Elbasani, është një prej 3 personave për të cilët SPAK lëshoi urdhër-arreste në kuadër të aksionit për goditjen e grupit kriminal të dy vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.

Lamçja ishte strehuar në një apartament në lagjën “Emshir” të Prishtinës, teksa më 4 gusht 2024 u kap nga njësia policore “FAST Kosova”.

Ai akuzohet nga SPAK për veprën penale të “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Lamçja dyshohet se shtë përfshirë në 5 krime të porositura nga Çopjat, mes të cilave edhe disa vrasje.

Arben Lamçja alias Dobrova rezulton një emër i njohur për drejtësinë, si dhe një person me rekorde kriminale në Itali./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version