SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjyk ish-drejtuesin e policisë, Erzen Breçani, si dhe të akuzuarit e tjerë pjesë të kësaj dosje.
Grupi kriminal që merrej me transportin e lëndëve narkotike u ekspozua nga “zbërthimi” i aplikacionit SkyEcc.
Sipas gjykatës, në analizë të veprimeve hetimore, të kryera deri në këto momente, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Erzen Breçani, ishte në dijeni të plotë të aktivitetit të jashtëligjshëm që ushtron djali i tij Eralbi Breçani.
Eralbi, sipas prokurorëve të SPAK, së bashku me Ergys Dashin dhe persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, për trafikimin e 446 kg sasi kokaine nga Amerika e Jugut për në Holandë, ku në datën 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.
Në dosje thuhet se Erzen Breçani i ka kërkuar një shumë parash të birit, burimi i të cilave ka qenë trafikimi i dhe shitja e lëndëve narkotike, duke investuar në aktivitetin tregtar ‘HEC DRITA ENERGY’, me administrator Eralbi Breçanin.
‘Këto përfitime të paligjshme janë investuar në HEC nën mbulimin që janë financime nga kredia, duke i bërë të mundur shmangien nga raportimi në institucionet përkatëse. Ndodhur para këtyre fakteve, gjykata vlerëson se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 287 të K.Penal.’- thuhet në dosjen hetimore të SPAK.
Po ashtu dyshohet se ai ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione shtetasve Bujare Ajeti Gërmizi si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që këta shtetas t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore. Sipas dosjes, nga informacioni i dhënë nga Erzen Breçani, ka ndikuar që shtetasi Bujar Ajeti Gërmizi dhe Nuredin Dumani të shmangin komunikimet ose lëvizjet që mund të sillnin arrestimin e tyre.
Erzen Breçani dhe Bujar Gërmizi njihen prej shumë vitesh për shkak edhe ky i fundit vinte nga radhët e policisë dhe të Forcave speciale. Bujar Gërmizi në atë kohë ishte njeriu që mbështeste dhe strehonte të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani./vizionplus.tv