Shkëlqim Goxhaj, drejtor i zjarrfikëses Tiranë ditën e sotme i ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova dha disa këshilla të vlefshme se si mund të mbrohemi nga zjarret. Ai i bëri thirrje qytetarëve që në momentin e parë që konstatojnë zjarr në banesë të lajmërojnë shërbimin zjarrfikës dhe mos tentojnë ta fikin vetë për të mos rrezikuar jetën. Gjithashtu zoti Goxhaj tha se është e rëndësishme që çdo banesë të ketë një fikëse zjarri, pasi kjo ndihmon në izolimin e flakëve nga vetë qytetarët kur zjarri është në fazën e parë.
Goxhaj: Sa herë që qytetarët shohin zjarr duhet të lajmërojnë shërbimin zjarrfikës në numrin 128 dhe të mundohen të japin koordinata më të sakta. Qytetari nuk duhet të tentojë të fikë zjarrin nëse zjarri është me përmasa. Ai duhet të largohet dhe të presë ardhjen e shërbimeve zjarrfikësve. Mbajtja e një fikëseje zjarri në banesë sot bëhet e detyrueshme sepse në momentet e fillimit të zjarrit nëse qytetari është në banesë mund ta neutralizojë shumë mirë, pra në momentet e para kur zjarri nuk ka marrë përmasa. Shërbimi ynë është i vendosur në 7 pika, shumë të menduara dhe kjo na jep mundësi të afrohemi në vendngjarje në kohën e duhur. Ngjarjet me pasoja fatale kanë qenë minimale në bashkinë e Tiranës.
Nuk është kulturë e përgjithshme mbajtja e fikëses së zjarrit në banesë. Ka filluar tani të jetë më i lartë interesimi. Është e detyrueshme të jetë në çdo shtëpi, sidomos në ndërtesat shumë katëshe ku evakuimi është i vështirë. Edhe në automjete fikësja e zjarrit është e detyrueshme. Përdorimi është shumë i thjeshtë dhe praktik. Ti je në gjendje ta fikësh zjarrin me dy-tre lëvizje dhe shmang dëme të konsideruesheme.
Sa i përket përdorimit të bombolave të zjarrit në banesa dhe biznese, zoti Goxhaj tha se rreziku nga to është më i madh, pasi një shpërthim gazi në një ambient të mbyllur nuk të jep mundësi të reagosh.
Goxhaj: Rasti i fundit ka qenë në Sauk ku u lënduan tre qytetarë. Është rreziku më i madh për pasoja fatale. Në një ambient të mbyllur ku kemi shpërthim të gazit rrezikohet jeta e personit. Pra nuk është një zjarr i zakonshëm. Nëse në një zjarr të zakonshëm qytetarët kanë mundësi të reagojnë, shpërthimi i gazit nuk ta jep këtë mundësi sepse të dëmton direkt. Duhet të ketë rregulla strikte në çdo banesë që përdoret gazi. Gjithashtu duhet të ketë sinjalizues të rrjedhjes së gazit në banesat dhe bizneset ku përdoret bombola./vizionplus.tv