Një vrasje e dyfishtë tronditi Velipojën mbrëmjen e së hënës. Ka qënë ora 21.00 kur 6 plumba i morën jetën dy kunetërve, Ersild Ishmit 33 vjeç dhe Arsid Hoxhës 22 vjeç, ndërsa i plagosur mbeti edhe një kamarier, Zyber Zagradi. Autor të kësaj ngjarje janë identifikuar dy vëllezerit Eduart dhe Gëzim Frroku të shpallur tashmë në kërkim. Numri një i drejtorisë vendore të policisë Shkodër, Edmond Sulaj bëri me dije se zanafilla e këtij konflikti është ajo e 2 muajve më parë, në 28 qershor, po në hotelin holiday në pronësi të vëllezërve Frroku.
“Shkak i konfliktit ka qenë një debat mes viktimave dhe vëllezërve Frroku pronar të hotel Holiday.
Ngjarja e ka zanafillën që në datë 28 qershor, ku në ambientet e hotel Holiday ka pasur një debat mes kamarierit dhe kushëririt të këtij hoteli . Si rezultat i këtij debati, në 14 korrik policia Shkodër ka bërë të mundur ndalimin e Ishmit”, tha Edmond Sulaj, drejtor i policisë Shkodër.
Kamerat e sigurisë të lokalit të hotelit “Holiday”, në pronësi të vëllezërve Frroku, të siguruara nga Vizion Plus, e dokumentuan konfliktit e 28 qershor, ku ngatërresa mes kamarierit dhe kuzhinierit, përfshiu edhe 33 vjeçarin Ishmi, i cili kanosi me armë zjarri kuzhinierin e lokalit. (pamjet e konfliktit). Në konflikt më pas u përfshi edhe njëri nga pronarët e hoteli, i cili i ka marrë armën nga dora 33 vjeçarit Ishmi, që më pas është larguar pasi ka dëgjuar sirenat e policisë.
Ai do të arrestohej më 14 korrik nga policia vendore pas dokumentimit të ngjarjes dhe ndaj tij gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Por ngjarja nuk është harruar nga ana e tij dhe palët janë takuar sërish një natë më parë, kur ndodhi dhe konflikti që degjeneroi në përdorimin e armëve.
Dy plumba Hoxhës dhe 3 Ishmit, të qëlluar nga armët e vëllezërve frroku , në gjoks dhe bark rezultuan fatal për të rinjtë, që ndërruan jetë pak minuta pasi mbërritën në spitalin rajonal të Shkodrës.
Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë bënë sekuestrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë së disa bizneseve, si dhe shoqëruan disa shtetas si dëshmitar në vendngjarje. Pika kontrolli janë ngritur në hyrje -dalje të Velipojës dhe qytetit të Shkodrës me qëllim arrestimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes./vizionplus.tv