2024 është viti i dytë që do të zbatohet reforma e pagave që ka ndërmarrë qeveria për ta bërë pagën mesatare në 900 euro. Ministri i Financave Ervin Mete gjatë intervistës për emisionin E-ZONE në Vizon Plus me gazetaren Rajmonda Lajthia shpjegoi se përfitues nga vera e këtij viti do të jenë kategoritë më të rëndësishme, një pjesë e pozicioneve në pushtetin lokal dhe specialistët.
Por në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me Aleksandër Furxhiun, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa tregoi “sekretin” pse nuk ka rritje të lartë të pensioneve.
Sipas tij, numri i kontribuesve në sigurime ka ardhur duke u ulur dhe numri i pensionistëve duke u rritur, ndaj sipas tij, skema buxhetore nuk arrin të mbulojë këtë shtresë.
Intervista e plotë:
Ku bazohet rritja e pagave këtë vit?
Kjo ishte një objektiv politik i qeverisë dhe ka nisur të realizohet që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Indeksimet nuk janë gjë tjetër veçse synimit të qeverisë për të arritur në pagën 900 euro.
Pensionistët mbeten të pakënaqur. Pse është më e vështirë rritja e pensioneve…
Skema në Shqipëri është kontributive. Aq sa mblidhen nga kontributet aq duhet të shpërndahen edhe tek pensionistët. Numri i të punësuarve ka ardhur në rënie dhe numri i pensionistëve ka ardhur në rritje. Rritja e pagave do të ndikojë edhe në indeksimin e pensioneve.
Përse hapet kaq shpesh ky lloj “çelësi”…
Rritja e pagave duhet të vijë për shkak të rritjes së ekonomisë. Të ardhurat e buxhetit të shetetit janë të limituara. Më shumë janë indeksuar pagat në sektorin publik. Të ardhurat që kemi në buxhetin e shtetit janë të ulta, janë 28% të PBB dhe mundësitë janë më të kufizuara./vizionplus.tv