Këshilli Ekonomik Kombëtar rinisi punën me mbledhjen e parë të zgjeruar për këtë vit, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i tij, duke çelur një kapitull të ri për riaktivizimin e një dialogu sa më të hapur dhe konstruktiv mes qeverisë dhe biznesit.
KEK do të shërbejë si një platformë për dialogun e shtuar, duke krijuar edhe disa komitete sektoriale të veçanta, të cilat janë të domosdoshme me qëllim marrjen dhe përthithjen e dijes që komuniteti i biznesit zotëron për sektorët specifikë.
Kreu i qeverisë u ndal te zhvillimi ekonomik i vitit që lamë pas si dhe te turizmi.
Edi Rama: Kemi dhe arsye të qenësishme për t’u ndjerë optimistë për të nesërmen, por kemi edhe arsye të qenësishme për të reflektuar mbi gjërat që duhen bërë më mirë ose që mbeten për t’u bërë, në mënyrë që edhe viti në të cilin jemi dhe viti i ardhshëm të vazhdojnë të na japin progresin e vitit të shkuar dhe të vitit përpara tij. Faktikisht është diçka që e thonë të gjithë, që viti që sapo mbyllëm ishte një vit i mirë për ekonominë shqiptare dhe ishte një vit i jashtëzakonshëm në mënyrë të veçantë për turizmin në Shqipëri, duke bërë që të ardhurat nga turizmi të kalojnë shifrën e 3 miliardë eurove, duke bërë që numri i turistëve të jetë më shumë se trefishi i popullsisë rezidente në Shqipëri dhe nga ana tjetër, duke bërë që gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë të reflektohet edhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë, në 10.5%.
Viti që lamë pas, ishte viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte
Edi Rama: Në anën tjetër, viti i shkuar ishte viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte dhe po ashtu edhe një vit që na dha progres të mëtejshëm edhe në hapjen e ekonomisë sonë në rajon, por jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, me më shumë aktorë, më shumë aktivitet edhe jashtë kufijve të vendit me një bilanc tregtar të përmirësuar më tutje, me eksporte të rritura dhe me një interes shumë të rritur të investitorëve të huaj, sidomos në fushën e energjisë dhe turizmit për të investuar në Shqipëri.
Përmes Sekretariatit të tij, Këshilli Ekonomik Kombëtar do të bëhet pika hyrëse e adresimit të problematikave, të shqetësimeve që biznesi ka në kryerjen e aktivitetit të përditshëm.
Përveç drejtuesve dhe anëtarëve të KEK në mbledhje morën pjesë edhe personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, disa prej të cilëve të pranishëm online; përfaqësues të organizatave të biznesit dhe të ftuar të tjerë të fushës.
Gjatë mbledhjes, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj komunikoi edhe risinë e ngritjes së Shtëpisë së Biznesit, një strukturë e posaçme, që do të shërbejë ndër të tjera edhe si pikë takimi e sekretariateve teknike që do të krijohen në vijim.
“Shtëpia e Biznesit, e cila ndodhet në krah të Kryeministrisë, në një nga kubat e piramidës do të shërbejë si një shtëpi, ku ne, jo vetëm do të mirëpresim bizneset për adresimin e problematikave të tyre, por do të shërbejë edhe si vend për takime të përjavshme të sekretariateve teknike që do të ngrihen në vijim të Këshillit Ekonomik Kombëtar. – u shpreh ministrja Ibrahimaj, teksa shtoi duke iu drejtuar pjesëmarrësve: “Ky besoj është vetëm fillimi i një strategjie të ndërveprimit dhe të komunikimit dhe harmonizimit të iniciativave ligjore dhe nënligjore që qeveria do të marrë në vijim me qëllim marrjen e dijes që gjendet në të gjitha bizneset që ju drejtoni dhe në të gjitha shoqatat që ju drejtoni. Ne do të mund të krijojmë një platformë model të partneritetit publik, privat me qëllim mirëqeverisjen dhe marrjen e vendimeve të duhura për nxitjen e zhvillimit ekonomik.”