
Ish-Uzina e Autotraktorëve do të vihet në funksion të Industrisë Ushtarake për prodhimin e uniformave dhe montimin e mjeteve të blinduara, transportuesve të artilerisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave. Projekti u prezantua nga vetë kryesocialsiti Edi Rama.
“Bëhet fjalë për një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Forcat tona të Armatosura, për ekonominë tonë kombëtare dhe për komunitetin këtu pasi në kuadrin e rilindjes së industrisë ushtarake në Shqipëri, ne kemi një sërë projektesh për rijetësimin e një infrastrukture të vjetër të mbetur jashtë funksionit, siç është dhe kjo strukturë këtu apo siç ishte dhe infrastruktura e kompleksit industrial të Rubikut apo infrastruktura të tjera në territorin e Shqipërisë. Kjo do të bëjë që nga njëra anë rritja e përvitshme dhe domethënëse e buxhetit të mbrojtjes të shkojë për të stimuluar ekonominë tonë kombëtare, nga ana tjetër përmes krijimit të këtyre hallkave të reja të një zinxhiri prodhues, të krijohen vende të reja pune për teknikë dhe për ekspertë të nivelit të lartë”, tha Rama.
Më herët në ambjentet e QSUNT, Rama mori pjesë në cermoninë e Nënshkrimit të marrëveshjes së partneritetit strategjik me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele”.
“Por paralelisht me qendrën, ne duam të transformojmë edhe Universitetin e Mjekësisë dhe dua ta theksoj që në të dyja këto bashkëpunime, që në fakt janë pjesë e të njëjtës marrëveshje, synimi nuk është thjeshtë që të kemi një partner më shumë, ndër shumë partner që kemi. Synimi nuk është që të kemi një konsulent më shumë, ndër shumë konsulentë që kemi apo që të bëjmë një binjakëzim më shumë ndër shumë binjakëzime që kemi. Synimi është që të deri në 2030-ën, nga njëra anë, qendra spitalore universitare të pësojë ekzaktësisht atë transformim që grupi i San Raffaele ka sjellë në Poloni, duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset”, tha kreu i qeverisë.
Rama u shpreh otimist për zhvillimin e qendrës spitalore duke u shprehur së synohet të kthehet në pikë referim për gjithë Ballkanin Perëndior./vizionplus.tv