Edhe Kalaja e Pogradecit i është shtuar listës së destinacioneve turistike që shumë shpejt do të rijetëzohen.

Projekti parashikon ngritjen e një muzeu arkeologjik, zbulimin e mureve të kalasë dhe rehabilitimin e rrugës që të çon drejt saj.

“Do të ngrihet një muze arkeologjik për gjetjet që do të kemi nga këtu gjithashtu po përfundon edhe muzeu i palafiteve dhe në fillim të vitit tjetër do të ndërhyjmë në dy lagje historike të qytetit. DDo të ketë shtëpi të tjera muze, një shtëpi etnografike, fototeka etj”, tha kryebashkiaku Ilir Xhakolli.

Sipas arkeologes Froseda Angjellari, Kalaja e Pogradecit është një nga asetet më të njohura të trashëgimisë kulturore në këtë qytet. Ajo ka qenë e populluar që në shekullin e 4 dhe të 5-të para erës sonë.

“Muret më të herëshme të kalasë janë ndërtuar në shekullin e katërt para erës sonë. Kjo kala konsiderohet si një nga vendbanimet e mirëfillta ilire, mund të ketë qënë një qytet i vogël ose një qëndër e rëndësishme administrative. Ndërtesat që kanë qënë pjesë e qytetit, varre etj. Do të ketë larmishmëri elementësh”, tha Angjellari.

Sipas ekspertëve të turizmit, rijetëzimi i plotë i Kalasë, bashkë me Muzeun e Palafiteve dhe lagjet historike do t’i jepnin ofertës turistike një tjetër dinamikë, shumë të nevojëshme për qytetin breg-liqenor./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version