Ujërat e liqenit të Prespës së Madhe janë populluar ndjeshëm nga rikthimi i pelikanit kaçurrel, një nga llojet më të mëdha të shpendëve në Evropë dhe në botë.

Specialistët e fushës bëjnë me dije se ky është një lajm i mirë pas humbjeve të mëdha  në vitin 2022 për shkak të gripit të shpendëve.

“Pelikani kaçurrel është një nga shpendët më të mëdhenj fluturues që ekziston. Prania e tij në liqenet e “Prespës” që nga pranvera e vitit 2022 është reduktuar në masë për shkak të gripit të shpendëve. Nga censusi që kemi bërë atëkohë kemi gjetur rreth 50 individë ndërsa më përpara brenda një dite kemi numëruar 495 prej tyre. Aktualisht shohim rritje nga viti në vit”, shprehet Vasil Mane, specialist i Biosferës.

“Pelikani kaçurrel e ka pushtuar liqenin e Prespës së Madhe. Ky bazen është i pasur me peshq dhe ka ushqim të bollshëm për këtë shpend dhe kjo ka ndikuar. Kanë tërhequr edhe pelikanë nga bazene të tjera në Europë”, thotë Llazo Stojani, specialist i Biosferës.

Në Shqipëri, pelikani kaçurrel folezon vetëm në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta, ndërkohë përdor si zona për t’u ushqyer dhe pushuar, liqenin e Shkodrës, Vjosë-Nartën si dhe liqenin e Prespës.

Ai përfaqëson një ndër llojet më të rrezikuar në vendin tonë, me një status ruajtje “I rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje”. /vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version