Nga Enkelejda Mema
Për arrestimin e Sali Berishës, Edi Rama nuk tha asnjë fjalë.
“Për rastin konkret nuk kam asnjë koment”, tha Rama
Vendimin e gjykatës së posaçme për të vendosur në arrest me burg ish paradhësin e tij që hetohet për privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”, kryeministri nuk e quajti një fitore të Partisë Socialiste por drejtësisë i rikërkoi të thotë fjalën e saj për“21 janarin”.
“Kurrë nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti..Partitë fitojnë zgjedhje për të çuar përpara vendin dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët, në një mënyrë apo tjetër. Ashtu sikundër këtë nuk rri dot pa e thënë. Pa u gjykuar 21 janari dhe pa u vënë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre, që janë në fakt vrasësit e vërtetë të 21 janarit, drejtësia do jetë e gjymtuar moralisht”, shtoi kryeministri.
Nëse për veprimin e drejtësisë ndaj kundërshtarit të tij më të fortë nuk tha asnjë fjalë, për ish Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dha versionin e tij ndaj hetimit të ri të nisur nga SPAK këtë herë në rolin e drejtuesit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
“Zhurma e bërë për ‘’zhvatje’’ fondesh të BE-së, është një gënjeshtër, sepse zyra nuk menaxhon fonde të BE-së. Nuk merr fonde, nuk i kalojnë fonde as nga BE-ja dhe nga asnjë institucion tjetër që financon, ose nga asnjë palë tjetër në bazë të marrëdhënieve dhe të marrëveshjeve bilaterale me shtetet e tjera. Është një çështje që s’ka fare lidhje me punën e qeverisë dhe timen, ka lidhje me punën e organeve të drejtësisë”, shtoi Rama.
Po aq punë e SPAK thotë Edi Rama është edhe hetimi i nisur për çështjen “Mc Conigal”.
“SPAK-u ka hetim, le ta hetojë, nuk ka asnjë problem”, tha ai.
Asnjë pritshmëri për të gjetur gjuhën e dialogut me opozitën në sesionin e ri të ardhshëm parlamentar.
“Për mua është një proces shpërbërje! Një proces shpërbërje që nuk kthehet mbrapa duke bërë ngjitje artificiale copash të cilat nuk i lidh absolutisht asgjë tjetër përveç interesit për karrige të individëve që i përbëjnë ato copa. Nuk ka asnjë vizion, nuk ka asnjë lloj lidershipi. Është komplet një shpartallim që do të vazhdojë”, deklaroi kryeministri.
E aq më tepër me Lulzim Bashën nga i cili thotë se nuk pret asgjë, as kur bëhet fjalë për reformën zgjedhore.
“Lulzim Basha mund t’ju them se në këtë orë është duke fjetur, e sigurtë. Por edhe po të zgjohet, besoj se nuk mund të presim ndonjë gjë të re”, tha Rama.
Asgjë të rë as nga vetoja greke. Qeveria nuk do të hedhë asnjë hap deri në një vendim të formës së prerë për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i arrestuar dhe në burg Fredi Beleri.
“Qeveria ka sipas ligjit atributin për të vendosur një komisar në krye të një bashkie, por në ligj nuk është i përcaktuar ky rast. Nuk kemi ne asnjë ngut për këtë”, shtoi ai.
Daljen e fundit për mediat pasi renditi arritjet e qeverisë për 2023-ën e mbylli me emrin e atij që e vlerësoi si njeriu i vitit.
“Njeriu i vitit është Sylvio Sylvinho Mendes Campos për mua”, përfundoi Rama./vizionplus.tv