Magjia e festave të fundvitit mbyllet më së miri nën larmishmërinë e programacionit të Vizion Plus.
Siparin e nis “7 PA 5”. Në një format ndryshe nga i zakonshmi të ftuarit e programit që zgjon Shqipërinë çdo mëngjes e gjejnë veten pranë një oxhaku për të bërë bilancet e vitit që po lëmë pas.
“Jemi gjatë për të sjellë disa personazhe shumë interesantë të humorit dhe skenës shqiptare. Gëzuar me zemrat plot”, tha moderatorja Alma Çela.
“Gëzuar përjetë e mot!”, tha moderatori Syrjan Rahova.
Segmentet e ndërtuara enkas fokusohen në interpretimin e ngjarjeve që iu kanë interesuar të rinjve përgjatë 2023 vetëm në “NEXT”, në orën 15.35.
Pasditet kalohen në studion e ngrohtë të Brikena Priftit, ku “Vizioni i Pasdites”, do të hap dyert e tij në orën 16:30 për të ftuarit e zgjedhur dhe shumë surpriza.
“Është menduar të sjellim një përmbledhje të atyre që janë personazet kryesorë të vitit 2023, momentet e tyre më të bukura. Kështu që do të jenë panele shumë interesante, por ajo që është shumë e rëndësishmë është që ka edhe surpriza”, u shpreh moderatorja Brikena Prifti.
Pas edicionit të fundit të lajmeve qendrore për këtë vit, do të hapet edhe mbrëmja festive. Goni dhe Xhefri në studion e “Fake Off” ofrojnë një retrospektive satirike me vox-popet e Sonit në terren.
“Nëpërmjet një kartoline urimi Goni dhe Xhefrri në këtë dritare të 31-shit ofrojnë gjithë entuziazmin. Qoftë vit i bardhë, i bukur dhe zemrat plot për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”, tha autori dhe moderatori Agron Llakaj.
Dhe sigurisht mbrëmja do t’ju gjejë të ulur në tryezat e shtëpive tuaja nën shoqërinë e “Këngë Moj”. Në orën 21.00 artistët më në zë të momentit do ju presin për t’ju shoqëruar deri në ndërrimin e viteve.
“Blendi, Pandi dhe drejtori artistik Adi Hila janë miqtë e mi më të dashur që kemi bashkëpunuar gjithmonë. E kam pritur me padurim që të jem në “Këngë Moj””, tha këngëtarja Merita Halili.
“U bë viti i 4 që mblidhemi sëbashku për të festuar Vitin e Ri bashkë me të gjithë shikuesit e Vizion Plus dhe Këngë Moj. Jam e sigurt që do jetë një atmosferë shumë e bukur, njerëzit do të kënaqen e ne do u dhurojmë muzikë pa fund që ju ta shijoni nga shtëpitë tuaja”, deklaroi këngëtarja Juljana Pasha.
“Fakti që kanë ardhur edhe artistë që nuk jetojnë në Shqipëri, jetojnë në diasporë dhe që do bëhemi bashkë këtë natë, besoj se do jetë një natë e bukur”, u shpreh Irma Libohova.
Duete që nuk përsëriten dhe prezenca e kaq shumë artisteve që këndojnë live me bandën e Altin Llakajt e bëjnë këtë natë më të veçantën.
“Kjo është kënaqësia më e madhe, që do jemi të gjithë bashkë. Do jetë një natë e zjarrtë, shumë e bukur dhe me plot surpriza”, u shpreh këngëtari Ervis Behari.
“Unë do të vi me një kolazh të përmetit, kështu që me këtë rast përshëndes të gjithë përmetarët por edhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Gëzuar dhe një vit i mbarë për të gjithë”, deklaroi Rovena Ibrahimi.
Mëngjesesi festiv do të vijoje në ditën e parë të vitit. Duke nisur në 1 janari nga ora 7 deri në 10 te mengjesit është rezervuar për animacionet e dubluara në shqip premiere në Vizion Plus.
1 janari hap sërish dyert me një prej emisioneve më të dashura për ju. “Living Room” ju pret në studio në orën 10:00 me një episod special mes panelesh e rubrikash frymëzuar nga festa.
“Në Living Room do të keni mundësinë të shihni një emision më të shtrirë në kohë se zakonisht. Bilance të të 2023-shit, çfarë pritet të ndodhë në 2024-rën dhe do të kemi personalitete që nuk do mungojnë as në këtë takim të veçantë”, tha moderatorja Brunilda Lahe.
Ndërsa prag-mbrëmja sjell në çdo shtëpi familjen më të famshme në Shqipëri. Me një audience të konsiderueshme sitcomi “Familja Kuqezi” vjen me një episod special në ditën e parë të vitit.
“Atmosfera kjo është. Nuk është çështja e një feste. Por është festa ku në familjet shqiptare, ashtu si ne në familjen Kuqezi mblidhemi të gjithë bashkë”, tha aktorja Adelina Muça.
“Si për çdo vit të ri që familjet tradicionale shqiptare presin miq për ta kaluar me sa më shumë njerëz, edhe ne na kanë ardhur prindërit në serial, kështu që është familja dhe tryeza plot”, u shpreh aktorja Alesia Xhemalaj.
Si tradicionalisht nata e parë e vitit, do të festohet me “Al Pazar”.
Trupa e spektaklit të humorit prej 12 vjetësh ka përgatitur një mbrëmje plot surpriza për të mbajtur shikuesit të lidhur me personazhet e tyre më të dashur.
Data 2 Janar do të sjellë në prag mbrëmje premierën e recitalit më të fundit te Pajtim Strugës “Tirona Napolon”.
“Albano Show” ju pret ne datën 2 Janar. Mes kolegësh, siç është profesori Rezart Prifti dhe teoritë konspirative të Alfred Çakos, Albano do ta bëjë këtë mbrëmje edhe më interesante.
3 Janari vijon me maratonën festive. Në orën 21:00 “Armiku i Popullit” sjell nje episod special me shumë karaktere dhe klipe për t’i komentuar në mënyrën e tyre.
“Jemi marrë me një fenomen që ka plasur në Shqipëri, kryesisht me personazhin e popullit. Edhe sikur të zgjedhësh personazh të vitit në Shqipëri, s’ka më njerëz të vitit. Edhe ne tek Armiku i Popullit kemi ndarë disa çmime shumë interesante”, tha moderatori Rezart Prifti.
Por janari vjen dhe me te tjera risi. “Quo Vadis” hapësira e aktualitetit politik nga Pranvera Borakaj tashmë do të transmetohet çdo të hënë dhe të mërkurë, ku gjatë kësaj të fundit do të ndiqni një përballje me personazhet më me vlere e të spikatur historik, kulturor apo shoqëror. Mbrëmja e parë hapet me publicistin dhe shkrimtarin Fatos Kongoli.
Të gjithë larmishmërinë e programeve mund ta shihni nga kudo dhe në çdo kohë përmes streaming në faqen e web Vizion Plus.tv si edhe përmes aplikacionit të televizionit Vizion Plus në çdo smartphone./vizionplus.tv