Presidenti i vendit, Bajram Begaj ishte sot i pranishëm në stërvitjen “Mbrojtja e Qëndrueshme” të Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë që u zhvillua në rajonin Luf të Pukës.
Kjo njësi e certifikuar nga NATO konsiderohet si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me Aleancën Veri-Atlantike.
Presidenti Begaj vlerësoi se stërvitja e Grup-Batalionit tregon që Shqipëria është e gatshme dhe e aftë për t’u mbrojtur dhe për të kontribuar aktivisht në mbrojtjen kolektive, sidomos në krahun Juglindor të NATO-s.
Presidenti Begaj: Kjo stërvitje është tregues i qartë i shkallës së lartë të përgatitjes, aftësisë dhe gatishmërisë së Forcave të Armatosura në përmbushje të misionit kushtetues për mbrojtjen e vendit dhe kontributit në mbrojtjen kolektive. Njësia juaj tashmë është e certifikuar nga NATO dhe konsiderohet si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me aleatët tanë.
Gjatë kësaj stërvitjeje u testuan kapacitetet operacionale dhe pajisjet e reja në kushtet e motit të ftohtë.
Begaj tha se FA “në këtë mënyrë, do të dëshmojë aftësitë operacionale për të vepruar dhe kryer operacione luftarake në çdo lloj terreni gjeografik dhe në çdo lloj rrethane.”
Presidenti Begaj: Nga ana tjetër, stërvitja e grup-batalionit tregon se Shqipëria është e gatshme dhe e aftë për t’u mbrojtur dhe për të kontribuar aktivisht në mbrojtjen kolektive, sidomos në krahun juglindor të NATO-s.
Kjo stërvitje kryhet në të njëjtën kohë me zhvillimin e stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-s prej dekadash, “Steadfast Defender 24”.
Sipas kreut të shtetit, nëpërmjet kësaj stërvitjeje, NATO po tregon se është një aleancë e fuqishme, e aftë dhe e gatshme për të mbrojtur popullsinë dhe territorin e vendeve anëtare në hapësirën Euro-Atlantike nga të gjitha kërcënimet, në një qasje 360 gradë.
Presidenti Begaj: Ndaj, është me rëndësi që edhe Forcat tona të Armatosura të jenë në lartësinë e sfidave të kohës.
Duke u ndalur te agresioni rus në Ukrainë, Begaj vlerësoi qëndrimin dhe heroizmin e ushtrisë dhe popullit ukrainas, të cilat i cilësoi se burim frymëzimi në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.
Ai theksoi se Shqipëria do vijojë të mbështesë Ukrainën, në koordinim të plotë me partnerët strategjikë dhe NATO-n.
Begaj nuk la pa përmendur edhe tensionet në Lindjen e Mesme dhe shtoi se situata është e rënduar dhe rrezikohet përfshirja e aktorëve të tjerë.
E tensionuar është edhe situate në Ballkan, dhe Begaj përmëendi sulmin në Banjskë të cilin e cilësoi provokim serioz kundër paqes në rajon.
Presidenti Begaj: Edhe rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, i cili ka vuajtur nga historia e konflikteve dhe përplasjeve ka një situatë sigurie të brishtë. Aktorë me ambicie gjeo-politike kundër vlerave Euro-Atlantike mund të shfrytëzojnë dobësitë dhe aleancat ideologjike apo etnike në rajon për të hapur vatra të reja konflikti.
Prej më shumë se një viti, siguria në veri të Republikës së Kosovës është cenuar disa herë. Goditja ndaj trupave të KFOR-it dhe akti terrorist në Banjskë pak muaj më parë ishin provokim dhe rrezik serioz kundër paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në fund, kreu i shtetit shtoi se konsolidimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe roli i NATO-s, nëpërmjet misionit KFOR, janë thelbësor për garantimin e sigurisë./vizionplus.tv