Votuesit amerikanë vendosin sot mes kthimit të republikanit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ngritjes së demokrates Kamala Harris nga posti i nënpresidentes në atë të presidentes së vendit, pas një fushatë presidenciale intensive të shoqëruar me polemika dhe një gjuhë të ashpër.

Gazetari Saimir Sulaj, në një raportim për Vizion Plus nga Uashingtoni bëri me dije se procesi i votimit po vijon normalisht. Gazetari Sulaj tha se në sondazhin më të fundit për votën popullore, Harris kryeson me 1%. Por në shtetet kyçe, të cilat do të përcaktojnë edhe fituesin, kryeson Trump.

Gazetari Sulaj: Procesi po vijon normalisht. Kemi pasur një fushatë zgjedhore të tensionuar me një retorikë të ashpër nga ana e dy partive, sidomos nga ajo Republikane. Republikanët kanë akuzuar demokratët për retorikë të ashpër që çoi edhe në atentat ndaj kandidatit të tyre Donald Trump. Është një sfidë mjaft e ngushtë, ku të gjitha sondazhet dhe ai më i fundit nxjerrin kokë më kokë kandidatët. Në sondazhin më të fundit për votën popullore Harris kryeson me 1%, por kjo nuk e bën atë të jetë e qetë dhe optimiste pasi kjo është vetëm vota popullore.

Gara e vërtetë është në ato shtete që konsiderohen kyçë, janë 7 apo 8 shtete, varësisht nga çdo periudhë zgjedhore, sistemi zgjedhor nuk është që një votë e drejtpërdrejtë zgjedh kandidatin fitues, por është kolegji zgjedhor, vota elektorale që zgjedhin kandidatin fitues. Secili kandidat duhet të fitojë 270 vota elektorale për tu zgjedhur President i SHBA. Sipas numrit të popullsisë së çdo shteti, përcaktohet dhe numri i votave elektorale.

Shtete si Pensilvania, Florida, Michigani, Arizona, Nevada, Karolina e Veriut janë vendimtare në procesin votues. Duke u nisur kjo dhe nga sondazhet, pavarësisht se Harris kishte një përqindje të lehtë në sondazhin e fundit, vetëm 1%, duket se Trump në shtetet kyçe ka një avantazh të lehtë. Kjo nuk mund të thotë që ai mund të fitojë, por çdo gjë mbetet varuar dhe mund të presim një shtyrje apo një rezultat jo në kohën kur ka ndodhur zakonisht, pra rreth mesnatës ose mëngjesit këtu në SHBA. Mbase mund të shtyhet me ditë dhe mund të kemi një rezultat shumë të kontestuar./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version