Policia ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, këtë të hënë.

Në njoftimin zyrtar theksohet se Meta ka bërë rezistence dhe ka fyer uniformat blu, ndaj arrestimi i tij është bërë në bazë të procedurave që ndiqen në këtë rast.

“Me detyrimin ndaj opinionit publik lidhur me mënyrën e shoqërimit të shtetasit I.M., sqarojmë se:

Policia e Shtetit ka marrë për ekzekutim  vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së  Posaçme për arrestimin e shtetasit I.M, 55 vjeç. Për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja. 

Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës.

Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe  drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M,  vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg”  dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.

Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Më tej, theksohet se përdorimi i forcës ishtë një akti i imponuar nga sjellja e Metës.

“Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht.

Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij  për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë.”, përfundon njoftimi.

Share.
Exit mobile version