Në këtë fillim të vitit 2024 projekti për të cilin po punon kryetari I Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi është ai për bashkimin e Partisë Demokratike.
Pas 4 muaj bashkëpunimi në parlament, Bardhi pranon se janë hedhur hapa për bashkimin e plotë të PD, por duke shmangur detajet kur dhe si do të unifikohet grupimi i drejtuar prej tij me demokratët që kanë zgjedhur kryetar Sali Berishën
“Po punojmë dhe kam bindjen e plotë se sa kohë që ekziston vullneti i përbashkët që kundërshtari ynë i vetëm është Edi Rama dhe regjimi i tij qeverisës i korruptuar ne do të gjejmë zgjidhje për tu bashkuar edhe politikisht”, tha Bardhi.
Por edhe pse ende nuk ka një qartësim nëse ky grupim do ta pranojë apo jo Sali Berishën si kryetar të demokratëve, Bardhi është më i qartë për rrugën që duhet të ndjekë opozita deri në zgjedhjet parlamentare.
“Unë gjykoj që opozita ka nevojë për një koalicion të gjerë opozitar ku të ketë brenda çdo faktor opozitar. Edhe në këtë drejtim është duke u punuar dhe besoj nuk ka rëndësi data apo ora e rëndësishme është që ekziston vullneti”, tha ai.
Vetë Bardhi nuk ka marrë pjesë në protestat e demokratëve para parlamentit, para gjykatës apo tubimet poshtë shtëpisë se liderit të opozitës Sali Berisha, por kreu i grupit parlamentar mendon se prokuroria ka vepruar në tejkalim të ligjit në raport me masat e sigurisë të aplikuara ndaj Berishës
“Në gjykimin tim qoftë masat e para të cilat i kam konsideruar në tejkalim të asaj që parashikon kushtetuta, pra pa autorizimin e parlamentit, qoftë masat e re e cila u servir më së shumti si ndëshkim janë tërësisht të panevojshme dhe në tejkalim të asaj që detyron ligji”, shtoi kreu i Grupit Parlamentar.
Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, Bardhi ka konfirmuar se mosbindja civile do të vazhdojë edhe pse format e protestës mund të ndryshojnë.
“Padisuktim nuk ka për të patur normalitet të punës në kuvend. Para seancës hyrëse në datën 15 do të mblidhet grupi ku do të diskutojë jo vetëm vijimin e aksionit por edhe hapat që do të ndërmarrim për ta vijuar këtë aksion”, tha Bardhi.
Të hënën e ardhshme nis punimet parlamenti dhe mesa duket tensioni mes opozitës dhe mazhorancës do të vazhdojë e aksioni i demokratëve mund të përshkallëzohet, duke përfshirë edhe skenare si ngujimi apo një formë proteste më radikale./vizionplus.tv