Këto janë pamjet nga një biznes ngjitur me godinën ku ndodhi shpërthimi tragjik në Lushnjë. Siç dallohet në videon e siguruar nga Vizion Plus, shpërthimi ishte aq i madh sa ka shkaktuar dëme edhe në bizneset përreth.
Po ashtu, në vendngjarje kanë mbetur mjetet e punës të shkrumbuara nga flakët.
Shpërthimi i fortë tronditi qytetin e Lushnjës dhe la pas dy viktima, babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha, si dhe gjashtë të plagosur. Gjithashtu në këtë shpërthim mbeti i plagosur edhe deputeti Bujar Çela i cili ju nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.
“Në momentin e shpërthimit ishim brenda në dyqan duke punuar si normalisht vetëm kur dëgjojmë një shpërthim shumë të madh. Tronditja ishte shumë e fuqishme. Na ka bërë shumë dëm, në mall, në shtëpi. Fëmijët ishin lart. Ishte shpërthim shumë i madh. Nuk po e kuptonim çfarë po ndodhte. Na tronditi, shkova të nxirrja fëmijët, të shpëtoja…pastaj pamë dëmet. Pjesa lart e shtëpisë është bërë shoshë, edhe biznesi është dëmtuar. Kujtova se shpërtheu bombola”, tha pronari i nje biznesi.
Nga të dhënat zyrtare dyshohet se gjatë punimeve kapanon në ndërtim, një vinçier duke drejtuar një vinç, akisdentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm./vizionplus.tv/