Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka lënë në burg Skënder Hajdinin dhe ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të birin, Bledar Hajdini, nën akuzë për vrasjen e 72-vjeçarit Faik Ajdini.
Skënder Hajdini, 72 vjeç, banues në fshatin Zhapokikë 2, akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Ndërsa djali i tij, Bledar Hajdini, 43 vjeç, akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Vrasja e Faik Hajdinit ndodhi më 20 gusht në fshatin Zhapokikë. Trupi i tij i pajetë u gjet rreth orës 06:40, në lagjen “Canometaj”, në fshatin Zhapokikë 2, në një përrua.
Dy ditë pas ngjarjes, policia arrestoi Blerti Kanushin, 23 vjeç, i cili dyshohet se ka kryer vrasjen.
Ai akuzohet për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Nga dinamika hetimore u konkludua se për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Hajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Hajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Hajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas kryerjes së krimit, Skëndër Hajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Hajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij./vizionplus.tv