Sot, PS dhe opozita e udhëhequr nga Sali Berisha kanë arritur marrëveshje për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore si dhe për Reformën Elektorale.
Ish-deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi tha se marrëveshja vjen pas një konflikti të gjatë.
-Marrëveshja e PS me Rithemelimin për disa është lajm i mirë, duke u nisur nga fakti që kompromisi janë në ADN-në e politikës. Ju si mendoni për këtë marrëveshje që është arritur sot?
Kadilli: Marrëveshja vjen pas një konflikti të gjatë në Parlament. Gjithmonë kam besuar që çdo konflikt është prodhuar nga mungesa e negociatës. Kauzat për të cilat u bënë përplasjet në Parlament ishin transparenca, legjitimimi i pjesës më të madhe të opozitës dhe Reforma Zgjedhore. Është siguruar nga grupi i Rithemelimit, legjitimimi, pjesërisht dhe ky, i faktit që ata janë pala me pushtetin kur vjen puna për të negociuar hapësirat e opozitës dhe të pushtetit. Kjo paska qenë arsyeja pse shkuam në konflikt. Fakti që konflikti mbaron vetëm kur realizohet ky element, do të thotë që transparenca nëpërmejt komisioneve parlamentare apo çështja e Reformës Zgjedhore nuk kanë qenë arsyet e vërteta të konfliktit. Zemërthyerjet nga ata që kanë besuar realisht që kemi një forcë opozitare që po tenton të ndryshojë veten dhe më pas Shqipërinë…janë zhgënjime të njëpasnjëshme nga njerëz që nuk do lodhen kurrë së besuari që e vjetra bëhet e re. Nuk mund të bëhet e vjetra e re. Asnjë marrëveshje nuk e prodhon opozitën.
-Ata që drejtojnë sot Rithemelimin, por edhe militantët demokratë, po flasin për një arritje të madhe, që është bashkimi i demokratëve. Ju si e keni parë këtë bashkim që është arritur de facto?
Kadilli: Nuk ka asnjë bashkim të demokratëve. Ata janë ndarë. Një pjesë kanë ndjekur zotin Berisha, një pjesë zotin Basha, dhe një pjesë janë tërhequr krejtësisht nga aktivizmi politik. Fakti që një grup i deputetëve kaluan ylberin nga kampi i zotit Basha në kampin e zotit Berisha reflekton numrin e madh që kishte Berisha brenda demokratëve. Nuk ka ndodhur ndonjë bashkim, ka ndodhur thjesht një ristrukturim i grupit parlamentar për llogaritë personale të deputetëve. Kjo është shumë turpëruese për opozitën. Ata deputetë që lëvizën nga një krah në krahun tjetër, e kanë akuzuar sekretarin e përgjithshëm të partisë se është i lidhur me krimin në Angli dhe ka një vilë në Lalëz. Tani atë vilën e ka apo s’e ka? Nëse ke shpifur zotëri kërko ndjesë dhe shko para përgjegjësisë, nëse ke thënë të vërtetën pse ke shkuar me këtë pjesë të opozitës? Është qesharake t’i thuash shqiptarëve që u bashkova me atë që e akuzova për vrasës, të lidhur me krimin dhe të korruptuar. Prandaj nuk ka opozitë fituese.
-Është ede opozita e Lulzim Bashës për të cilën vëzhgues të ndryshëm mendojnë se po shkon drejt rrudhjes, se zoti Basha duhet të kishte qenë shumë më tepër aktiv dhe rruga që ka marrë PD zyrtare, për shumë vëzhguesh është një e tatëpjetë. Ju si mendoni?
Kadilli: Është zgjedhja e vetë zotit Basha që të vazhdojë të jetë mungues, nuk mjaftohesh dot në politikë vetëm me disa deklarime aty këtu, me deklarata të përgjithshme jo konkrete. Politika sot është një garë e përditshme, nuk pranon vakum. Çdo vakum që lë zoti Basha do ta zërë dikush tjetër. Është vendim politik i tij dhe të atyre që e ndjekin për të vazhduar në këtë linjë tatëpjete apo për të shfrytëzuar momentet e veta politike.