Nga Blerina Cene
Vetëvrasja e nënës së katër fëmijëve, Bedrie Loka ka tronditur mbarë opinionin publik.
Historia tragjike e 41- vjeçares sipas psikiatrit Neli Demi duhet të vërë në lëvizje institucionet.
Sipas tij mungon një strategji mirëfilltë për të parandaluar që persona në gjendje të rënduar psikologjike të shkojnë drejt aktit ekstrem.
“Në vendin tonë nuk ekzistojnë politika të mirëfillta për parandalimin e vetëvrasjes, programe të parandalimit të vetëvrasjes. Prania e shërbimeve të shëndetit mendor në mënyrë kapilare, në mënyrë sa më të shpërndarë, në mënyrë sa më të aksesueshme, të cilat adresojnë qoftë konfindencialitetin, po qoftë edhe në mënyrë profesionale, problematikat e mundshme, të cilat e furnizojnë këtë ndjesi për të zhdukur veten, për të mos jetuar më. Personi që kryen një akt të tillë, ndjehet pa rrugëdalje”, tha Neli Demi.
Psikiatri thotë se rastet e vetëvrasjeve përgjithësisht kanë disa faktorë që kur bëhen bashkë çojnë drejt fatalitetit.
“Vetëvrasja është një fenomen multidimensional, asnjëherë nuk ka një faktor të izoluar, të vetëm që e shtyn personin drejt një akti kaq destruktiv qoftë ndaj vetes, por edhe ndaj njerëzve të afërt. Për rastin konkret informacionet ishin të lidhura me presionin e ushtruar në rrjetet sociale, megjithatë, nga momenti në moment ne po marrim lajme të reja, të cilat e bëjnë shumë më të komplikuar, ashtu siç është. Lajmet e fundit janë që ka pasur dhe faktorë të tjerë me shumë ndikim në gjendjen psikologjike të zonjës së ndjerë”, shtoi Demi.
Ekspertët apelojnë që edhe mediat të tregohen me të kujdesshme në raportimin e vetëvrasjeve, pasi ka njerëz të tjerë të cilët përjetojnë situata të ngjashme me ata që vetëflijohen. Një zgjidhje sipas tyre do të ishte që paralelisht me raportimin e ngjarjes të përcillen informacione mbi shërbimet ekzistuese për trajtimin e atyre që janë në gjendje të rënduar psikologjike./vizionplus.tv