Nga Borana Demiri 

Shtatë universitete publike kanë hapur dyert për mësuesit që kanë nisur të trajnohen nga pedagogët në fushat përkatëse, mbi cilësinë dhe metodat e reja të mësimdhënies.

Programi filloi me trajnimin e mësuesve nga shkollat në Durrës, Korçë, Elbasan dhe Tropojë, dhe do të zgjerohet për të përfshirë më shumë se 4000 arsimtare nga e gjithë Shqipëria deri në fund të këtij viti.

“Edhe pse kam 38 vite në profesion, e shikoj shumë të nevojshme që të përditësoj dijet dhe ky trajnim është shumë i rëndësishëm.”

“Unë si mësuese e re patjetër që më duhet të kaloj në disa faza kualifikimesh për të përballuar sfidat në mësimdhënie.”

Ekspertët e arsimit e konsiderojnë të vonuar e të domosdoshëm një program të tillë kombëtar, duke argumentuar se ndryshimi i kurrikulës duhet ti gjente të përgatitur mësuesit e po aq edhe ndryshimet që prekin arsimin në vazhdimësi.

“Nxënësit sot kanë ndryshuar, po ashtu edhe metodat se si ata mësojnë. Bëhesh i rëndomtë nëse nuk e pasuron çdo ditë veten me dije  të reja, me forma të reja pune, me iniciativa të cilat i përfshin të tjerët në punën që bën, nëse nuk je gjithëpërfshirës nuk arrin sukses, puna në arsim është një punë në grup dhe kërkon vullnet e përkushtim të jashtëzakonshëm. Mësues bëhesh në punë e sipër, duke e ushtruar profesionin. Asnjë mësues i ri nuk duhet të mendojë që e mori diplomën dhe u bë mësues. Ata duhet t’u drejtohen niveleve të tjera të kualifikimit”, thotë gjuhëtarja Mimoza Gjokutaj.

Gjuhëtarja Mimoza Gjokutaj vendos theksin tek cilësia e nxënësve që zgjedhin mësuesinë duke nënvizuar se të rinjve i duhet shpjeguar rëndësia e këtij profesioni, që në arsimin e mesëm.

“Në të gjithë botën arsimi është në proces ridimensionimi, për të gjitha kohërat. Kërkohen metoda të reja, infrastrukturë e re, mjedise të reja, integrimi i teknologjisë në mësimdhënie, të cilat nuk kanë qenë më përpara. Provat janë shumë të rëndësishme, njeriu njeh veten.”

Pedagogët në universitetin e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Shkodrës kanë nisur punën për të ofruar trajnime të specializuara në matematikë, shkencë, gjuhë dhe për arsimin fillor./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version