Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Sipas uniformave blu, një 42-vjeçar është arrestuar për vjedhje, ndërsa një 34-vjeçar akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Një i ri u arrestua për thyerje të arrestit të shtëpisë, dhe një tjetër për një aksident të shkaktuar, teksa drejtonte makinën në gjendje të dehur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin O. B., 42 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin A. T., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin J. C., 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkelur masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin H. A., 32 vjeç, banues në Angli, pasi në rrugën “Nikola Tupe”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me dy automjete të parkuara, dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë./vizionplus.tv