RENEA në bashkëpunim me policinë e Gjirokastrës kanë arrestuar Andrea Kalemin, një emër i njohur për policinë vendase dhe të huaj. Gjatë kontrollit në banesë, atij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.

Kalemi është emër i njohur edhe për autoritetet në Belgjikë, pasi akuzohet se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.

Kalemi gjithashtu ka qenë i dënuar edhe në burgun e Kordhialos në Greqi, ku i ka shpëtuar mrekullisht disa herë atentateve që iu bënë në qeli, ku në muajin dhjetor të vitit të kaluar u godit me thikë nga një 28-vjeçar egjiptian në gjoks dhe në kraharor duke marrë plagë të rënda, duke shënuar kështu atentatin e dytë të dështuar ndaj tij. Kujtojmë që kjo ishte hera e dytë që ndaj Kalemit brenda territorit grek i bëhej atentat, herën e parë ai u qëllua në 9 Gusht ndërsa ndodhje me pushime në Paxos.

Dalja nga burgu dhe vrasja e babait

Pas daljes nga qelia, Andrea Kalemi u shënjestrua për një tjetër atentat, por edhe këtë herë të dështuar. Tre persona u vranë pas një atentati mafioz të ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut në Memaliaj. Viktimë mbeti Gledio Muka, 36 vjeç dhe Marsel Çela, 47 vjeç të cilët plumbat i kapën aksidentalisht pasi ndodheshin në kohën dhe vendin e gabuar. Gjithashtu mbeti i vrarë Shyqyri Kalemi, i cili është babai i Andrea Kalemit.

I plagosur rëndë është xhaxhai i Andrea Kalemit, Artur Kalemi. Pista kryesore në të cilën policia nisi hetimet ishte ajo e hakmarrjes, pas një zinxhiri vrasjesh mes dy fiseve Papa dhe Kalemi, që luftën e nisën shumë herët, për trafikun e kanabisit nga jugu i Shqipërisë drejt Greqisë.

Saga e hakmarrjes

Pesë të vrarë dhe disa të plagosur është bilanci i përplasjes mes familjes Kalemi dhe Papa, konflikt i nisur dy vite më parë, ku shkak kryesor mbetet prishja e pazareve të drogës.

Lufta mes dy familjeve nisi fillimisht me ekzekutimin mafioz të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj në qershor të vitit 2022. Ai u hodh në erë brenda mjetit të tij në afërisi të Saukut. Sadikaj ishte kushëriri i Andrea Kalemit, i njohur ndryshe edhe me emrin Adriatik. Autorët kishin vendosur një sasi prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës që u aktivizua gjatë lëvizjes. Vrasja makabre e të riut do të niste atë që njihet si saga e vrasjeve me dy familjeve.

Vetëm pak muaj më pas, në djetor 2022 u ekzekutua me breshëri biznesmeni nga Saranda Edmond Papa. 49-vjeçari kishte sjellë nënën e tij në spital në Tiranë. Ai ishte mbajtur nën vëzhgim nga autorët, të cilët qëlluan ndaj tij sapo ky i fundit ishte ulur në një bar në zonën e Selitës. Për këtë krim është arrestuar shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim është shoku tjetër Andreë Bode. Krimi dyshohet se u porosit nga Andrea Kalemi si hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt. Pikërisht Edmond Papa dyshohet se fshihej pas tritolit të vendosur në mjetin e të riut.

Pak muaj më pas, në gusht 2023 objektiv i atentatit ishte Andrea Kalemi, i cili u plagos në ishullin Paksos në Greqi ku kishte shkuar me familjen për pushime. Autorët të cilët dështuan në eliminimin e tij dyshohet se ishin vrasës me pagesë.

Kalemi I shpëtoi një tjetër atentati, kësaj here brenda burgut të Koridhalosit në Greqi. Ai mbeti i ploagosur me thikë nga një shtetas egjiptian, ku edhe ky i fundit dyshohet se ishte paguar nga jashtë për të eliminuar Andra Kalemin.

Krimi nuk kurseu as djalin tjetër të familjes Kalemi. Në janar të këtij viti në afërsi të rrethrrotullimit të Selitës pre e një atentati ishte Zamir Kalemi, vëllai i Andreas. Ky i fundit mbeti i plagosur duke i shpëtuar mrekullisht breshërive të plumbave. Autorët ndoqën mjetin e Kalemit tip ‘Smart’ duke e qëlluar në ecje./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version