Nën masa të rrepta sigurie, “baroni” i drogës Gëzim Çela është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri.
Pamjet janë publikuar nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili shkruan se ekstradimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit mes strukturave të Policisë së Shtetit me atë të Kosovës.
Ndër të tjera, Balla shtoi se ky bashkëpunim po intensifikohet çdo ditë me agjencitë partnere kudo, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Përgëzoj Policinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë disamujor që u finalizua me ekstradimin e kreut të një organizate kriminale, i cili ishte i prej shumë vitesh i kërkuar nga drejtësia. Ky bashkëpunim po intensifikohet çdo ditë me agjencitë partnere kudo, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, shkruan Balla.
Më 27 shkurt, ministria e Drejtësisë njoftoi se Kosova kishte pranuar kërkesën për ekstradim.
Gëzim Çela u arrestua më 9 dhjetor të vitit të shkuar pasi doli në përgjimet e operacionit të prokurorisë, “Flakë në det”.
Nga ky aksion u godit një grup kriminal që përdorte gomone të fuqishme për të shkëmbyer kanabis me kokainë në mes të detit.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, gjashtë trafikantët dogjën edhe velierën e tyre, për të fshehur gjurmët./vizionplus.tv