Nga Mimoza Ibra
Vjollca Rrapi është një 21-vjeçare në Tiranë që po kërkon një vend pune. Pa eksperiencë dhe pa arsim të lartë, ajo trokiti në zyrat e punës.
“Hapi i parë është që ulet, i kërkojmë kartën e identitetit dhe e shikojmë në sistem nëse është i regjistruar apo nuk është i regjistruar. E regjistrojmë nëse nuk është i regjistruar në sistem dhe e marrim në intervistë, e pyesim për çfarë është i interesuar. Në momentin që ai e përcakton se për çfarë është i interesuar, i bëjmë intervistë më të detajuar dhe i jap ofertat e punës, sot janë disa pozicione vakante’, thotw Migena Nezaj, specialistw nw Agjencinw Kombwtare tw Punwsimit.
Për t’u përshtatur sa më mirë me tregun, në zyrat e punës ofrohen edhe trajnime profesionale për punëkërkuesit. Një nga këto kurse ka zgjedhur edhe Vjollca.
“Këtu kam ardhur për një kurs. Po bëj një kurs për parukeri dhe estetikë. Më pëlqen si kurs dhe kam dëshirë ta vazhdoj. Në datë 21 shkurt mbaroj parukerinë dhe në mars mbaroj estetikën”, thotw Vjollca rrapi, punwkwrkuese.
“Ata që nuk janë të aftë të bëjnë punë sepse nuk kanë eksperiencë pune, u japim formim profesional. Kemi shumë kurse profesionale, kemi aftësi digjitale, elektricist, kuzhinier, parukeri. Këto kurse japin një formim për ta që nuk japin të aftë sepse nuk kanë marrë arsim dhe duan të marrin një profilizim’, thotw Nezaj.
Si për dikë që përfundon kursin, ashtu edhe për dikë tjetër që nuk trajnohet profesionalisht, specialistët në zyrat e punës i referojnë te bizneset që kërkojnë fuqi punëtore. Çdo emër pikëzohet në një sistem të dedikuar, duke marrë parasysh arsimimin dhe formimin e tij profesional, me qëllim që të përshtatet kërkesa me ofertën.
“Ne e referojmë punëkërkuesin tek ai biznes, biznesi e merr, e interviston dhe nëse përputhet çdo gjë, e punëson. Nëse punëkërkuesi bie dakord edhe me kushtet e biznesit dhe biznesi me aftësitë e punëkërkuesit, atëherë bëhet ndërmjetësimi”, shton Nezaj.
Aktualisht, pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit janë shpallur 6 mijë vende të lira pune, për pozicione nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe ekonomistë, infermierë, edukatorë, arsimtarë, por edhe punëtorë krahu, kamerierë, banakierë, rrobaqepës apo sanitarë./vizionplus.tv