GJKKO vendosi ditën e djeshme, 30 dhjetor, masën e sigurisë “arrest shtëpiak” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Këtij të fundit nuk i lejohet as komunikimi me persona të tjerë, ndërsa do të kontrollohet periodikisht nga një oficer policie.

Sot më 31 dhjetor, në natën e ndërrimit të viteve, Berisha uron gjithë shqiptarët përmes një postimi në Facebook.

“Kjo natë magjike e ndërrimit të viteve, është nata e dashurisë, mirënjohjes dhe shpresës:, shkruan Berisha.

Në urimin e tij, Berisha shpreh keqardhje dhe thotë se Shqipëria i është rikthyer rrugës së diktaturës.

Por, sipas tij, shpresa është magjia e kësaj nate. Ai thotë se kurrë nuk do të dorëzohet së luftuari për të vërtetat që beson për Shqiprinë.

Urimi i plotë i Sali Berishës

Të dashur qytetetarë dhe qytetare shqiptarë. Gëzuar vitin e ri 2024, kudo që po festoni sonte. Në vatrat tuaja familjare, në lokale, clube, udhëtime, spitale apo institucione të vuajtjes të dënimit. Kjo natë magjike e ndërrimit të viteve, është nata e dashurisë, mirënjohjes dhe shpresës. Për shumicën e shqiptarëve, mirënjohja dhe shpresa, mund të jenë të vështira në mbyllje të një viti si ky që po lejmë pas.

Shqipëria nuk është më e njëjta. Vendi ynë është nxjerrë nga rruga e demokracisë dhe i është rikthyer udhës qorre të dikurshme. Diktaturës! Në retrospektivë Shqipëria humbi shumë këtë vit. Shqipëra u nda perfundimisht me votën e lirë. Në 2023 pamë një fushatë elektorale që nisi me tritol, u kontrollua nga bandat, dhe u mbyll me arrestime politike.

Shqipëria humbi pluralizmin. Në 2023 pamë luftën më të egër ndaj opozitës që nga koha e Enver Hoxhës. Opozitës ju vodh logo e partisë. Ju ndalua emri i kryetarit në fletën e votimit. Dhe kreu i tyre u burgos, pa prova apo fakte. Opozites ju mohua e drejta kushtetuese e kontrollit mbi qeverisjen. Shqipëria humbi Parlamentarizmin. Humbi demokracinë. Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në kohë si këto.

Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në vitin e 2 që Shqipëria ka më shumë vdekje se sa lindje.Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në një kohë kur 81% e shqiptarëve duan të largohen. Por sonte unë dua ti jap çdo shqiptari një mesazh shprese. Sepse ne fakt shpresa është magjia e kësaj nate. Viti i ri është festa e fillimit të ri. Është festa e rikthimit të shpresës. Është festa që na kujton, se nuk ka të keqe të pafundme. Se gjithmonë ka një kohë më të mirë.

Ky vit, pati të mirat e veta. Ky ishte viti ku nga errësira ne sollëm në dritë të vërtetën. Prandaj çdo demokrat sonte duhet të jetë krenar, dhe çdo shqiptar duhet të ketë shpresë. Sepse çdo e keqe sjell një të mirë. Zgjedhjet e 2023 ishin si ato të Rusisë së Putinit. Por 600.000 shqiptarë me votën e tyre na dhanë mesazhin se ka shpresë. Parlamenti shqiptar sot është si ai i Bjellorusisë së Lukashenkos. Por 43 deputetë qëndrestarë dhanë mesazhin se ka shpresë.

U burgos padrejtësisht kreu i opozitës. Por ky është veçse inspirim sepse tregon se regjimi ka frikë. Prandaj do ju kujtoj se Sali Berisha kurrë nuk do dorëzohet së luftuari për të vërtetat që beson për Shqipërinë. Nuk do dorëzohet së luftuari për të rinjtë që largohen, për fermerët e braktisur, per minatorët e harruar, për arsimtarët me rrogat më të ulëta në rajon, për artistët që drejtohen nga patronazhistët, për mjekët e vjedhur nga koncesionet që zgjidhje të vetme shohin largimin, për intelektualët që mediat e reigjimit i kanë zëvendësuar me gramafonë të paguar, për ish-pronarët që shohin se si u vidhen pronat nga familjarët e ministrave si “investitorët strategjikë”, për studentët qe nuk shohin siguri për të ardhmen, për prodhuesit, mundi dhe djersa e të cilëve është shkatërruar nga paraja e zezë a narkotrafikut, për pensionistët që nuk kanë mundësi të blejnë as ilaçet, për të varfërit, të papunët dhe të majtët e tradhëtuar.

Sepse në këtë diktaturë të re, ku shqiptarët janë të tradhëtuar nga të gjitha anët, antikomformistet, guximtarët dhe qëndrestarët janë shpresa e vetme për Shqipërinë.Dhe për të gjithë ata që mund ta kenë të vështirë të shohin dritë në këtë kohë të errët, kam vetëm një fjali për ta. Një shprehje të pavdekshme nga Nelson Mandela: “Çdo gjë duket e pamundur… deri sa realizohet.”

Shqiptarët do të triumfojnë këtë vit të ri. Misioni ynë hyjnor për shpëtimin e Shqipërisë do realizohet. Prandaj uroj çdo shqiptar të hyj në 2024 krenarë, i buzëqeshur dhe me dy gishtat lartë. E ardhmja u takon atyre që guxojnë! Gëzuar miq. Gëzuar vitin e ri, 2024!/vizionplus.tv 

Share.
Exit mobile version