Fluksi nga gripi dhe virozat gjatë muajit janar është pasuar me ngarkesë të shtuar për bluzat e bardha, sidomos në shërbimin e urgjencës.
Por pacientët shmangin në masë mjekun e familjes edhe në rastet kur gjendja nuk paraqitet e rëndë.
“I bëj thirrje të gjithë pacientëve që përpara se të paraqiten në urgjencë, të këshillohen fillimisht me mjekun e familjes. Ai është në dijeni të sëmundjeve kronike që mund të kenë plus dhe nuk e ngarkojnë urgjencën e spitalit, gjë që e bën të vështirë punën tonë”, thotë shefi i shërbimit të urgjencës në spitalin e Durrësit, Gjergj Qerimi.
Shefi i shërbimit të urgjencës në spitalin rajonal të Durrësit, Gjergj Qerimi shprehet se tashmë ka rënë piku i rasteve që paraqiten me grip.
“Kemi patur edhe 400 pacientë në 24 orë që paraqiteshin në urgjencë, tani është 250 edhe më pak. Klinika ka qenë tipike e gripit me kollë të thatë, temperaturë, ethe, ka patur edhe disa raste me komplikacione, kryesisht me infeksion të rrugëve të sipërme respiratore”, shton Qerimi.
Sipas mjekëve, këshillohet që të paktën tre ditë në rastet e virozave, pacienti të qëndrojë në shtëpi duke u kujdesur në kushte të mira të higjienës dhe dietë të shëndetshme ushqimore./vizionplus.tv