Gati 2 javë pas ngjarjes tragjike në Shkodër, ku Alma Arrazi i dha fund jetës me 3 fëmijët e mitur në ujërat e lumit Buna, në prokurori është thirrur sërish për t’u marrë në pyetje, kunata e saj, Valentina Arrazi.
Ajo rezulton të jetë personi i fundit që e takoi 39-vjeçaren përpara aktit tragjik.
Për disa orë Arrazi dëshmoi para prokurorit Ledion Tema, pasi ky i fundit kishte të tjera pikëpyetje të lindura nga dëshmia e saj e parë e dhënë menjëherë pas ngjarjes.
“Dolëm për të pirë një kafe sëbashku me Almën dhe fëmijët tanë tek një lokal në pedonalen e molos në hyrje të qytetit të Shkodrës. Rrugës përpara se të mbërrinim unë u ndala në një market për të blerë diçka dhe Alma më priti jashtë. Kur dola Alma më tregoi se Erdgysi, kishte kaluar me makinë sëbashku me të dashurën e tij dhe se i kishte parë. Unë nuk e kam parë Erdgysin sepse isha në market por Alma më tha se kishte kaluar”, tha Valentina para hetuesve.
Valentina Arrazi tregoi se Alma i kishte thënë se po priste ta merrte i vëllai për ta çuar në Durrës dhe pse ajo e besoi.
“Para një muaji Alma kishte qenë tek familja e saj në Durrës për shkak të debatave që mund të kenë pasur. Pavarësisht situatës, Alma i ka kërkuar Edgysit që të shkonte e ta merrte dhe se ia kishte falur faktin që ishte njohur me një vajzë tjetër me shpresen se ai do ta linte atë për të vijuar me familjen e tij. Erdgysi ka shkuar dhe e ka marrë duke qenë se ajo e kishte kërkuar. Fakti që ishte larguar edhe para një muaji tek familja nuk më bëri të dyshoj për atë gjë aq të rëndë që Alma bëri. Unë po ta dija se Alma do mbytej bashkë me fëmijët do kisha bërtitur në mes të lokalit dhe nuk do ta kisha lënë kurrë por nuk e dija sepse thjeshtë më tha se do e merrte i vëllai”, tregon Valentina.
Arrazi sqaroi gjithashtu momentin e ndarjes në pedonale dhe komunikimin që ajo bëri me telefon. Detaj që ka ngritur pikëpyetje kur është parë videoja.
“Pasi Alma u largua unë nxora telefonin dhe lajmërova bashkëshortin tim se nuk kisha internet dhe se do ikja për në shtëpi. Pasi i thashë se isha pa internet, vijova rrugën deri në shtëpi. Unë i thashë bashkëshortit kur ika në shtëpi se Alma do shkonte tek familja e saj në Durrës. E mori vesh edhe Erdgysi se do shkonte në Durrës. Pas afro dy orësh kemi komunikuar me motrën e Almës dhe ajo na tha se nuk kishte shkuar atje. Kjo na bëri të dyshojmë dhe e gjithë familja jonë dolëm me makina duke kërkuar kudo në rrugët e qytetit nëse mund të gjendej diku Alma, por nuk e gjetëm askund. Kemi kërkuara e pyetur shumë edhe të nesërmen më 3 maj por askush nuk na konfirmoi asgjë derisa Erdgysi shkoi në polici dhe bëri denoncimin për humbjen e saj dhe të tre fëmijëve”, dëshmoi ajo.
Dëshmia e Valentina Arrazit, do t’i bashkëngjitet dosjes hetimore, së bashku me analizat toksikologjike që prokuroria ka kërkuar për trupat e 4 viktimave të kësaj tragjedie./vizionplus.tv