Edhe pse kanë kaluar 2 ditë nga vrasja brutale në Fushë-Krujë ku u ezketutua me breshëri kallashnikovi në oborrin e banesës së tij Gentjan Bejtja, Policia e Tiranës ende nuk asnjë emër apo autor të dyshuar për krimin.

Viktima Gentjan Bejtja edhe pse ishte në kërkim policor prej disa muajsh, ku kërkohej për tu marrë në pyetje në lidhje me atentatin e fundit ndaj tij, ku mbeti i  vrarë kunati i tij, policia nuk kishte arritur që ta lokalizonte.

Por nga ana tjetër 4 vrasësit që dyshohet se ishin me pagesë, kanë arritur që ta gjejnë atë pikërisht përpara policisë dhe në momentin që Bejtja ka dalë nga banesa drejt serës në oborrin e vilës së tij në Larushk të Fushë-Krujës, janë futur brenda dhe kanë ekzekutuar në mënyrë brutale 43-vjeçarin.

Në lidhje me ngjarjen policia e Tiranës ka nisur analizat ku është fokusur në kqyrjen e kamerave të sigurisë të zonës si dhe në dëshmitë e personave të shoqëruar.

Mësohet se ish-polici është qëlluar nga një distancë e afërt me 30 plumba kallashnikovi, pjesa më e madhe e të cilëve e kanë kapur në trup dhe fytyrë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Dyshohet se 3 prej tyre të maskuar dhe me veshje të zeza kanë qëlluar drejt ish-policit me breshëri kallashnikovi.

Vrasësit janë larguar nga vendngjarja me një makinë fuoristradë, të cilën më pas e kanë djegur në fshatin Hasanaj.

Mjeti dhe targat rezultuan të vjedhura në Shkodër vitin e kaluar. Në makinen e shkrumbuar janë gjetur edhe 4 kallashnikovët e përdorur për të eliminuar Bejtjan.

Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen. Mes tyre është edhe Valter Bami i cili u arrestua si i dyshuar në atentatin e 4 korrikut te vitit të kaluar po ndaj Gentjan Bejtjas por që u la në masën ‘arrest shtëpie’ pasi nuk u gjetën prova  që e lidhnin direkt me krimin. Në këtë atentat mbeti viktimë kunati i ish policit, Ramazan Sina dhe u plagosën dy fëmijët e tij te mitur./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version