Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani ka marrë pjesë në ceremoninë e 80-vjetorit të Çlirimit të kampit të përqendrimit Aushvic në Poloni.

Në këtë aktivitet, krerë delegacionesh nga e gjitha bota bënë homazhe për viktimat e horrorit të paimagjinueshëm nazist dhe dëgjuan gjithashtu dëshmitë rrëqethëse të disa prej të mbijetuarve të Holokaustit.

Ministri Igli Hasani u shpreh rreth krenarisë për Shqipërinë, e cila tregoi një solidaritet të pashembullt në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Një krenari e veçantë për Shqipërinë, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore u shndërrua në një shembull të jashtëzakonshëm të mbrojtjes dhe solidaritetit ndaj hebrenjve, një trashëgimi që vazhdon të njihet dhe vlerësohet ndërkombëtarisht. Në fund të luftës, Shqipëria u bë strehë për rreth 2,000 hebrenj, duke u bërë i vetmi vend në Evropë me një popullsi hebreje më të madhe pas luftës se sa para saj”, u shpreh ai.

Në fund, ai nënvizon se “kjo trashëgimi vetëmohimi, gjatë një prej periudhave më të errëta të njerëzimit, do të na frymëzojë gjithmonë për të zgjedhur anën e duhur të historisë.”

Share.
Exit mobile version