Ministri i Brendshëm Taulant Balla u takua me efektivët e Komisariatit të Policisë Kurbin, ku deklaroi se është drejt finalizimit drafti me ndryshime rrënjësore në Ligjin për Policinë e Shtetit.
Sipas Ballës, synimi është për ta dinamizuar dhe energjizuar trupën drejtuese të Policisë dhe përmirësuar karrierën në radhët blu.
Ministri vlerësoi punën e drejtuesit të ri të Komisariatit Kurbin dhe shtoi se punët dhe rezultatet e mira arrihen nëse realizohen në ekip.
“Është një Komisariat me shumë rëndësi, të gjitha rrugët kalojnë këtu, si pikë kyçe dhe që ka patur nivel të lartë kriminaliteti në të kaluarën, por falë punës tuaj të përditshme duhet të punojmë mos na përsëriten. Forca e Policisë është kur arrin ta parandalojë”, nënvizoi ministri.
Më tej Balla shtoi se mosha mesatare e Policisë është e lartë, 47 vjeç, ndaj duhet ftuar të rinj e të reja.
Bashkëpunim me pushtetin vendor, ai e sheh si kyç, në kuadër të mbrojtjes nga krimet mjedisore.
Ministri kërkoi nga DVP Lezhë nisjen e punës që tani për masat për mirëmenaxhimin e sezonit turistik për vitin në vijim.
Zbardhjen e krimeve të vjetra dhe kapjen e personave kriminalë që i shmangen drejtësisë, ishin disa nga detyrat e lëna për punonjësit e këtij Komisariati.
“Do të vijoj t’i takoj personalisht punonjësit e Policisë së Shtetit dhe t’i dëgjoj me vëmendje në çdo komisariat”, tha Balla, duke premtuar dhe ndërtimin e një godine të re për Policinë e Kurbinit.