Dalja nga lista gri e pastrimit të parave është vlerësuar nga Zv.Kryeministrja Belinda Balluku, si rezultat i një pune të madhe dhe të mirë koordinuar të institucioneve shqiptare.

Deklaratat u bënë gjatë  mbledhjes vjetore të Komitetit Bashkërendues të Luftës Kundër Pastrimit të Parave, i mbajtur sot paradite nën drejtimin e drejtimin e Zëvendëskryeministres Balluku dhe ne pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve që janë pjesë e këtij Komiteti.

Në fjalën e saj hapëse, zëvendëskryeministrja e cilësoi vitin 2023 si një vit të suksesshëm sa i takon arritjeve që ka bërë vendi ynë në këtë drejtim dhe që u finalizuan edhe me daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF.

“Më duhet të theksoj se ky moment pozitiv për Shqipërinë ka ardhur si rezultat i një pune shumë të madhe të të gjithëve ne, ku një rol mjaft të rëndësishëm ka pasur edhe konsolidimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, edhe institucionet e reja të krijuara si SPAK, institucione të cilat kanë mbështetur punën e institucioneve tradicionale ligj zbatuese duke dhënë impaktin e daljes së Shqipërisë nga lista gri e FATF. Ky takim i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave është një angazhim i përbashkët për të vijuar luftën kundër krimit financiar në përgjithësi dhe në veçanti pastrimit të parave përmes hetimeve, dënimeve, sekuestrimeve dhe konfiskimeve”, bëri të ditur Balluku.

Zëvendëskryeministrja shtoi më tej se Qeveria Shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë luftës kundër pastrimit të parave duke rritur kapacitetet institucionale, si dhe investimet në sistemet e teknologjisë së informacionit, me synim rritjen e efikasitetit.  Inteligjenca artificiale dhe ndërveprimi midis institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik është një synim dhe objektiv madhor i Qeverisë Shqiptare, tha Balluku.

“Synojmë, të biem dakord për nevojën e një strategjie kombëtare në fushën e parandalimit dhe goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke hartuar dhe miratuar këtë strategji brenda 6 mujorit të parë të vitit 2024. Kjo strategji do të jetë një udhërrëfyes për një sërë procesesh vlerësuese, si dhe do të rrisë efikasitetin e këtij Komiteti”, sqaroi Zëvendëskryeministrja.

Duke falënderuar të gjithë aktorët e angazhuar në këtë drejtim, Balluku, theksoi edhe një herë nevojën dhe rëndësinë që ka bashkëpunimi mes të gjitha institucioneve për parandalimin e pastrimit të parave./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version