Tiranë- Një tjetër qendër prostitucioni zbulohet në kryeqytet.
Bëhet fjalë për një qendër masazesh në Unazën e Madhe, në të cilën ushtrohej veprimtaria e paligjshme e prostiticionit.
Policia e Tiranës bën me dije se qendra e masazheve u zbulua në kuadër të operacionit policor të koduar “Flower” (Lulja).
Në kuadër të operacionit është shpallur në kërkim një 29-vjeçar, ndërsa është vënë në pranga menaxherja e qendrës së masazheve. Gjithashtu janë proceduar penalisht 5 shtetas të tjerë.
Njoftimi policise
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Flower”.
Kishte përshtatur një qendër masazhesh, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit, shpallet në kërkim 29-vjeçari.
Vihet në pranga menaxherja e qendrës së masazheve, procedohen penalisht 5 shtetas të tjerë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Flower”.
Si rezultat i tij:
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se, shtetasi M. Xh., administronte një qendër masazhesh, në Unazën e Re, me menaxhere shtetasen M. H., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./vizionplus.tv/