Nga Ervin Sina 

Në javën e dytë të stërvitjes së nisur në Kenia atletja jonë kryesore, Luiza Gega, ndjehet mirë dhe e konsideron këtë fazë përgatitore në Afrikë mjaft të rëndësishme për dy garat e mëdha të verës, kampionatin europian të Romës dhe olimpiadën e Parisit.

“Kjo është stërvitja bazike, ku është me shumë kilometra, por është stërvitja kryesore përsa i përket asaj që unë dua të arrij në sezonin e verës ku më presin dy aktivitete shumë të rëndësishme, siç është Kampionati Evropian. Unë tashmë shkoj dhe si kampione Evrope dhe kam një barrë më të larë mbi shpatulla. Më pas Lojërat Olimpike që do të jenë në Paris”, tha Gega.

Gega ndalet më konkretisht te pritshmëria që ka për veten gjatë 2024, duke i pasur shumë të qarta synimet.

“Viti 2024 dua të jetë dhe kulmi im sepse janë dhe Lojërat Olimpike, është aktiviteti më i madh mbarë botëror. Viti 2022 më bëri të besoj që edhe unë mund të jem në top 5, pastaj çdo gjë rrethrrotullohet, pse jo dhe ndonjë medalje. Unë po me ato sportistë do të garoj, me më të mirët e botës. Sigurisht që të kemi një fokus dhe një dëshirë shumë më të madhe për të arritur ato limitet. E di shumë mirë që mund të jem top 5”, tha Gega për Vizion Plus.

Sportistja jonë  më e mirë e dekadës së fundit rrëfeu për Vizion Plus se të garosh në nivele të larta duhet të shpenzosh shumë gjatë vitit, gati 70 mijë euro, dhe kjo është një sakrificë e madhe në nivelin personal.

“Gjithë sportistët e këtij niveli kanë një kosto minimumi diku te 70 mijë euro në vit. Nëse do të jesh i qetë financiarisht, patjetër që 70 mijë euro nuk mi jep dot asnjë institucion. Mundohem që të gjitha të ardhurat e mia, qoftë nga klubi, qoftë nga komuniteti olimpik, qoftë nga ministria e Mbrojtjes, t’i përkthej në grumbullim dhe rezultate. Nuk të mbetet asgjë për të kursyer nesër kur ti të lësh karrierën edhe pse je një sportiste e këtij niveli”, tha Luiza Gega./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version