Gjykata kushtetuese shqyrtoi sot në seancë plenare marrëveshjen e lidhur mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për strehimin e përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm në zonën e Lezhës.
Mbledhja u zhvillua pa palë, vetëm mbi bazën e dokumentacionit e pritet që brenda 30 ditëve gjykata të vendosë nëse kjo marrëveshje është apo jo në përputhje me kushtetutën e republike së Shqipërisë.
Marrëveshja e cila u firmos në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe homologia Gorgia Meloni parashikon ngritjen e një qendre pritjeje në Gjadër të Lezhës për emigrantët nga Afrika dhe Lindja e Mesme, që synojnë Italinë përmes detit Mesdhe. Në këtë qendër do të strehohen maksimumi 3 mijë emigrantë të cilët do të qëndrojnë në Shqipëri në pritje të procedurave për azil.
Marrëveshja u shoqërua me reagimin e fortë të opozitës e cila e goditi në Gjykatën Kushtetuese. Sipas deputetëve demokratë të drejtuar nga Sali Berisha e Gazment Bardhi kjo marrëveshje bie ndesh me kushtetutën, sepse shkel të drejtat e njeriut, pasi ligji themeltar i shtetit parashikon që çdo individ në territorin e vendi tonë gëzon të njëjtat të drejta si qytetarët shqiptarë.
Deputetët demokratë i kanë kërkuar kushtetueses që para se të japë vendimin final të kërkojë një opinion nga gjykata evropiane e të drejtave të njeriut .Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë shënon rastin e parë që një vend jo anëtar i BE-së bie dakord të pranojë emigrantë në emër të një vendi anëtar. /vizionplus.tv