Mungesa e barnave në tregun farmaceutik shqiptar është një problem që vazhdon prej vitesh. Spitalet nuk janë të vetmit që përballen me mungesë medikamentesh, por edhe në rrjetin e hapur të farmacive, duke bërë që pacientët te përpiqen t´i sigurojnë ku të munden.
“Problemi i mungesës së barnave nuk është problem vetëm për pacientët por është edhe për farmacistin, sepse përballet çdo ditë me ndjeshmërinë e pacientit. nuk është se mungon vetëm një barn apo i njëjti në tregun shqiptar vazhdimisht në periudha të ndryshme mungojnë barna të ndryshme. Kjo mungesë sjell fenomenin sjell kontrabandën e nxitur nga mungesa e barnave që janë paautorizim. Janë barna të futur në mënyrë ilegale pa ju nënshtruar kushteve, që askush nuk mban përgjegjësi”, tha Dëfrim Goma, president i Urdhrit të Farmacistëve.
Për tre vite me radhë lista e barnave të rimbursueshme nuk ka ndryshuar. Çka do të thotë që qytetarët nuk kanë pasur barna të reja.
“Fakti qe nuk behet një liste e re ka të bëjë me mos shtimin e barnave të reja pra që pacienti të mos i paguaj nga xhepi. Libri i barnave duhet të bëhet çdo fillim viti që edhe farmacistët të mos ndihem përpara faktit të kryer kur kryhet një indeksim i çmimit”, u shpreh Goma.
Një tjetër shqetësim që ngrihet nga Urdhri i farmacistit janë edhe medikamentet që shiten dhe reklamohen online, të cilat nuk kanë nevojë për recetë mjeku. Por askush nuk e kontrollon këtë tregti barnash.
“Pacienti që porosit online një produkt, nuk ka asnjë siguri dhe është e parregulluar me ligj dhe e pakontrolluar. Këto produkte duhet te tregtohen nga persona te kualifikuar, duhet të rregullohet me ligj”, tha ai.
Këto problematika dhe shumë të tjera u diskutuan në konferencën e mbarëkombëtare farmaceutike të mbajtur në Tiranë me pjesëmarrje të farmacistëve nga i gjithë rajoni. /vizionplus.tv